Cakolli: Pas certifikimit të zgjedhjeve nis afati për konstituimin e Kuvendit, më pas procedurat për Qeverinë ose Presidentin
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë me dije se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, fillon rrjedhja e afateve kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Ai ka sqaruar procedurat për thirrjen dhe mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, si dhe mënyrën e drejtimit të saj.
Sipas Cakollit, vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit mund të nisin procedurat kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re ose të presidentit, duke theksuar se as Kushtetuta dhe as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përcaktojnë se cila prej tyre duhet të ndodhë më parë.
Postimi i plotë i Cakollit në “Facebook”:
Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.
Afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen me sukses të seancës konstituive të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik, dhe përfundon më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë.
Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së legjislaturës së kaluar, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike.
Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LV-ja, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP-ja.
Rendi i punës është i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash. Më pas bëhet betimi i deputetëve, votohet kryetari i Kuvendit dhe në fund zgjidhen nënkryetarët.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga LV-ja, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet një kandidat tjetër. Votimi për kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshimin e mënyrës së votimit.
Pas zgjedhjes së kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare – LV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja. Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga Lista Serbe, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako. Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet joshumicë në një votim tjetër.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të pesë nënkryetarët.
Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese: ajo për formimin e qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk e kushtëzojnë formimin e qeverisë me zgjedhjen paraprake të presidentit.



