Reagim i kompanisë turistike Meti: Nuk jemi të përfshirë dhe as të dyshuar në rast

08 korrik 2026 | 11:31

Kompania e transportit ndërkombëtar Meti ka reaguar lidhur me raportimet për rastin e armëve të gjetura në një autobus të linjës së saj, duke theksuar se kompania dhe stafi i saj nuk janë të përfshirë dhe nuk janë subjekt i hetimeve.

Sipas njoftimit të kompanisë, Meti, e cila operon në transportin e udhëtarëve në linja ndërkombëtare, ofron edhe shërbimin e bartjes së porosive për klientët në të dy drejtimet.

Gjatë një kontrolli rutinë kufitar në Hungari, në një nga porositë e një klienti janë gjetur armë.

“Kompania jonë menjëherë ka bashkëpunuar me autoritetet, duke njoftuar Policinë Hungareze për identitetin e dërguesit dhe marrësit të porosisë. Të njëjtin informacion e kemi përcjellë edhe te Policia e Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas Metit, pas procedurave të kontrollit, autobusi dhe stafi kanë vazhduar udhëtimin pa asnjë masë kufizuese.

Kompania thekson se edhe Policia Hungareze, në deklarimin e saj zyrtar, ka bërë të ditur se armët janë gjetur në një porosi të një klienti dhe jo në posedim të kompanisë apo stafit të saj.

Meti shton se autoritetet kompetente disponojnë identitetin e dërguesit dhe marrësit të porosisë, ndërsa për konfirmime shtesë mund të pyetet edhe Policia e Kosovës.

Në fund të reagimit, kompania rithekson se nuk ka asnjë lidhje me rastin.

“Kompania Meti dhe stafi ynë nuk kanë të bëjnë me këtë rast dhe nuk janë as të përfshirë e as të dyshuar.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, dhe Daut Haradinaj kanë hequr…