Gjini: Kosova ka nevojë për reformim radikal të ekonomisë
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për rritjen ekonomike të Kosovës, duke vlerësuar se këto shifra nuk duhet të interpretohen me triumfalizëm politik, pasi sipas tij nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik të qytetarëve.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Gjini ka theksuar se Kosova vazhdon të ketë Bruto Produktin Vendor (GDP) më të ulët për kokë banori në rajon, ndërsa hendeku me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian mbetet i madh.
Sipas tij, një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind nuk është e mjaftueshme për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm, pasi ajo mbështetet kryesisht në konsumin e brendshëm dhe remitancat, e jo në prodhim, industri dhe eksporte.
Gjini ka paraqitur edhe një analizë krahasuese, sipas së cilës, nëse vazhdon ritmi aktual i rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen rreth tetë vjet për të arritur nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, 13 vjet atë të Maqedonisë së Veriut, 20 vjet Shqipërinë, 54 vjet Malin e Zi, 77 vjet Serbinë dhe më shumë se 130 vjet për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian.
Ai ka theksuar se inflacioni i viteve të fundit ka dobësuar fuqinë blerëse të qytetarëve, duke bërë që rritja ekonomike të mos reflektohet në përmirësimin e standardit të jetesës.
Në fund të reagimit të tij, kryetari i Aleancës ka bërë thirrje për ndryshim të menjëhershëm të politikave ekonomike, duke kërkuar mbështetje për prodhuesit vendorë, investime në teknologji, krijimin e vendeve të punës me vlerë të shtuar dhe rritjen e eksporteve.
Sipas tij, Kosova duhet të kalojë nga një ekonomi e mbështetur në konsum, në një ekonomi të bazuar në prodhim dhe zhvillim afatgjatë.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar raportin e publikuar nga “Euronews”, i cili i referohet parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilave Kosova pritet të jetë ndër vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë gjatë viteve të ardhshme.



