Irani po u kundërpërgjigjet sulmeve amerikane

08 korrik 2026 | 08:10

Ndërsa presidenti Donald Trump takohet me liderët botërorë në samitin e NATO-s në Turqi, Amerika dhe Irani po shkëmbejnë sulme në provën më të madhe deri tani të armëpushimit të tyre, ndërsa SHBA-ja gjithashtu ka rivendosur sanksionet ndaj shitjeve të naftës iraniane.

Sulmet amerikane, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve mbi anijet tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit, u pritën me një paralajmërim nga Irani se do të jepte një “përgjigje shkatërruese”.

Pak më vonë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thanë se lëshuan raketa dhe dronë ndaj 85 objekteve ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt.

Në prapaskenë, disa aleatë rajonalë janë në komunikim me SHBA-në dhe Iranin në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të armiqësive dhe për të ruajtur armëpushimin, tha për CNN një burim rajonal.

Zhvillimet e fundit

Ushtria e Kuvajtit tha se iu përgjigj “kërcënimeve armiqësore me raketa dhe dronë”. Irani ka goditur më parë objekte ushtarake amerikane në Kuvajt, përfshirë bazën ajrore Ali Al Salem, Camp Arifjan dhe Camp Buehring.

Sirenat kanë rënë në Bahrejn, tha Ministria e Brendshme e vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve që “të qëndrojnë të qetë dhe të drejtohen në vendin më të afërt të sigurt”. Bahrejni është selia e Flotës së Pestë të Marinës së SHBA-së, e ngarkuar me patrullimin e Gjirit Persik, Detit të Kuq dhe Detit Arab.

Ndërsa SHBA-ja nisi sulme të reja kundër Iranit si “ndëshkim”, sipas një zyrtari amerikan, shpërthime u raportuan në ishullin Kharg të Iranit, një qendër jetike për eksportet e naftës së Teheranit, sipas mediave shtetërore iraniane. Ushtria amerikane tha se goditi më shumë se 80 objektiva ushtarake.

Negociatori kryesor i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, akuzoi SHBA-në për shkeljen e memorandumit të mirëkuptimit mes tyre.

Irani dënoi gjithashtu rivendosjen e sanksioneve amerikane ndaj naftës së Teheranit, duke e cilësuar atë një “shkelje të qartë” të Memorandumit të Mirëkuptimit të arritur mes dy vendeve muajin e kaluar.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian po kthehet në Teheran nga Iraku, sipas transmetuesit shtetëror IRIB, ku kishte udhëtuar për ceremoninë shumëditore mortore të ish-Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, po planifikon të zhvillojë vizitën e tij të parë në Izrael të mërkurën, sipas tre burimeve. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse këto plane do të ndikoheshin nga sulmet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në kuadrin e…