Millanoviq: NATO duhet t’i kushtojë vëmendje Serbisë, po armatoset shumë

08 korrik 2026 | 20:39

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, deklaroi sot në samitin e NATO-s në Ankara se Serbia ka forcuar intensivisht armatimet e saj në vitet e fundit dhe se Aleanca duhet t’i kushtojë vëmendje këtij procesi.

Ai tha, me një dozë ironie, se shpresonte që Serbia “nuk do të merrte një aeroplanmbajtëse me rrota, sepse nuk ka det”, por paralajmëroi se Kroacia do të duhej të merrte pajisje shtesë ushtarake për shkak të kësaj, raportoi “N1 Croatia”.

Millanoviq u tha gazetarëve në ditën e dytë të samitit të NATO-s se kishte përmendur edhe çështjen e armatosjes së Serbisë gjatë takimeve me udhëheqësit e Aleancës.

“Përmenda atë që Serbia ka bërë kohët e fundit kur bëhet fjalë për armatimet. Shpresoj që ata nuk do të marrin një aeroplanmbajtëse me rrota, pasi nuk kanë det. Por pyetja që duhet bërë është – për çfarë u duhen të gjitha këto? Raketat hipersonike janë vetëm një segment, ka shumë më tepër dhe ne do të duhet të përgjigjemi duke zhvilluar vetë aftësi të ngjashme. NATO duhet ta dijë këtë dhe është detyra ime të flas për këtë”, tha Millanoviq.

Duke folur për situatën e sigurisë në Evropë, ai vlerësoi se në samit po flitej shumë pak për diplomacinë dhe kujtoi se Rusia ka një arsenal të madh bërthamor.

“Duhet të kemi parasysh se Rusia ka potencial të madh bërthamor. Megjithatë, nuk besoj se do të guxonte të sulmonte vendet evropiane”, tha presidenti kroat.

Duke përshkruar atmosferën në samit, Millanoviq tha se midis udhëheqësve të NATO-s, Presidenti i ShBA-së Donald Trump ishte më i drejtpërdrejti.

“Në këtë format, Donald Trump ishte më i ndershmi. Ai vjen këtu si një tregtar armësh plotësisht i vendosur dhe në këtë kuptim përfaqëson interesat amerikane. Ai flet me respekt për Putinin dhe Xinë, dhe ata flasin me respekt për të”, tha Millanoviq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Xhevat Hasani Po e fillojmë tregimin me Vladimir Putinin…