Trumpi urdhëron ndërprerjen e tregtisë me Spanjën
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën në Samitin e NATO-s se ka urdhëruar sekretarin e Thesarit të ShBA-së, Scott Bessent, që të ndërpresë të gjithë tregtinë me Spanjën, duke e cilësuar Madridin si një “partner të tmerrshëm” në aleancë.
Trumpi, duke folur së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në fillim të samitit në Ankara, tha se nuk dëshiron të bëjë më biznes me Spanjën.
Ai ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj Madridit, pasi Spanja nuk është pajtuar me objektivin e ri të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Po ashtu, udhëheqja socialiste spanjolle ka refuzuar t’i lejojë ShBA-së përdorimin e hapësirës së saj ajrore ose bazave të saj ushtarake për operacionet në Iran.
“Nuk dua të bëj asnjë tregti me ta, në rregull?”, i ka thënë Trumpi, sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, i cili është përgjigjur: “Po, zotëri”.
“Merreni menjëherë, as mos u flisni atyre. Ata janë të pashpresë. Ata janë njerëz të këqij”, ka thënë Trumpi.
Ai ka thënë se Spanja përfiton shumë nga marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara, por sipas tij kjo situatë do të ndryshojë. “Ata fitojnë kaq shumë para me ne dhe do të shohim që ata fitojnë shumë më pak. Nuk dua të kem asnjë biznes me ta”, deklaroi presidenti amerikan. Shtetet e Bashkuara kanë dy baza të rëndësishme ushtarake në territorin e Spanjës: stacionin Detar Rota dhe Bazën Ajrore Moron, të cilat kanë rol të rëndësishëm në operacionet strategjike të ShBA-së dhe NATO-s.



