Trumpi vendos ta largojë Sirinë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit

08 korrik 2026 | 22:12

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mërkurën e njoftoi homologun sirian, Ahmed al-Sharaa, se ka vendosur që ta largojë vendin e tij nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit.

“Unë premtova se do t’i largoja të gjitha pengesat që ju ndalojnë ju nga rindërtimi i vendit tuaj dhe, shumë shpejt, ju më në fund do të jeni në gjendje që ta bëni këtë” – i shkroi Trumpi Sharaa-s në një letër që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne kemi kompani amerikane të gatshme që të investojnë në Siri dhe të ndihmojnë për ta bërë vendin tuaj më të mrekullueshëm e më të lulëzuar se kurrë më parë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë në letrën për të cilën një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se i është dorëzuar presidentit sirian pas takimit mes dy udhëheqësve të mërkurën në Ankara.

Trumpi tha se e ka njoftuar Kongresin për masën e re dhe ky organ do të kryejnë një shqyrtim 45-ditor para se vendimi të mund të hyjë në fuqi.

Cilësimi si shtet sponsorizues i terrorizmit bart kufizime sa u përket asistencës së jashtme nga ShBA-ja, eksporteve të mbrojtjes dhe transaksioneve të caktuara financiare.

Muajin e kaluar, Trumpi nënshkroi një urdhër ekzekutiv me të cilin i dha fund një programi të sanksioneve ndaj Sirisë, duke e lejuar përfundimin e izolimit të shtetit aziatik nga sistemi financiar ndërkombëtar.

Disa kompani nga Arabia Saudite po planifikojnë investime miliardëshe si pjesë e përpjekjeve të Riadit për ta mbështetur rimëkëmbjen e Sirisë, ndërsa edhe shtete të tjera të Gjirit Persik janë zotuar për asistencë financiare./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa zyrtarë nga Maqedonia e Veriut janë përballur me ndalesë…