ATK-ja publikon versionin e ri të EDI-së, shtohet shërbimi “Kërkesë për Fiskalizim”

09 korrik 2026 | 16:02

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar versionin e ri të Sistemit Elektronik “EDI”, i cili sjell një shërbim të ri elektronik për tatimpaguesit – “Kërkesë për Fiskalizim”.

Sipas ATK-së, shërbimi i ri është funksionalizuar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë. Qëllimi i tij është pajisja e tatimpaguesve me Kodin Unik për Fiskalizim, i cili është i nevojshëm për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).

Përmes këtij shërbimi mund të aplikojnë tatimpaguesit që planifikojnë të fillojnë përdorimin e SEF-it, si dhe ata që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal.

Shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë “Fiskalizimi”, përmes opsionit “Kërkesë për Fiskalizim”.

ATK ka njoftuar se tatimpaguesit që tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë atë të shfaqur në sistem, ndërsa ata që ende nuk e kanë këtë kod mund të parashtrojnë kërkesën në mënyrë elektronike përmes shërbimit të ri.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që do të përdorin Softuerin Elektronik Fiskal, si dhe atyre që po kalojnë nga PEF në SEF, që të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse është e nevojshme, të aplikojnë për pajisjen me Kodin Unik për Fiskalizim.

Sipas ATK-së, publikimi i versionit të ri të EDI-së është pjesë e përpjekjeve për digjitalizimin e proceseve tatimore dhe për ofrimin e shërbimeve më moderne, efikase dhe më të qasshme për tatimpaguesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka…