Gruda: PDK-ja do ta shqyrtojë ftesën e Kurtit, formimi i institucioneve kërkon dialog dhe kompromis
Deputeti i rizgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se partia do ta shqyrtojë në mbledhjen e Kryesisë ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim me liderët e partive politike, duke theksuar se formimi i institucioneve nuk mund të arrihet pa dialog dhe kompromis.
Para nisjes së mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Gruda ka thënë se partia synon të ndërtojë një qëndrim pas ftesës së Kurtit dhe pret që kësaj radhe dialogu të jetë i mirëfilltë.
“Pa dialog politik dhe pa kompromis, që janë dy elemente kyçe të politikës, nuk mund të ketë formim të institucioneve. Jemi në Kryesi për të formësuar një qëndrim pas ftesës së zotit Kurti dhe presim që kësaj here dialogu të jetë i vërtetë”, ka thënë Gruda.
Ai ka vlerësuar se fakti që ftesa është bërë para konstituimit të Kuvendit tregon se diskutimet duhet të përfshijnë të gjithë procesin e formimit të institucioneve.
Sipas Grudës, asnjë parti nuk ka siguruar numrin e nevojshëm të votave për t’i formuar e vetme institucionet, prandaj rezultati i zgjedhjeve kërkon bashkëpunim ndërmjet forcave politike.
“Vetëvendosje ka synuar t’i formojë e vetme institucionet, por rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe duhet të respektohet nga të gjitha partitë. Tashmë dihen përqindjet, dihet sa vota nevojiten për zgjedhjen e presidentit dhe besoj se është momenti t’i hapet rrugë formimit të institucioneve”, ka thënë Gruda.



