Ramiz Kelmendi nderohet për 22 vjet bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane
Presidenti i “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, ka pritur në një takim zyrtar drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politiko-ekonomike dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kelmendi ka njoftuar se gjatë takimit ka pranuar një mirënjohje për bashkëpunimin 22-vjeçarë me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.
“Kam pritur sot në takim zyrtar kreun e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, z. Arian Zeka, me ç’rast kam pranuar edhe Mirënjohje për bashkëpunim 22-vjeçar korrekt me këtë mekanizëm të rëndësishëm për ekonominë vendore”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar tema që lidhen me zhvillimet politiko-ekonomike dhe mundësitë për forcimin e marrëdhënieve profesionale në funksion të zhvillimit ekonomik.
Kelmendi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë strategjik për vendin.
“Ruajtja, kultivimi dhe avancimi i bashkëpunimit ekonomik dhe të gjithëmbarshëm Kosovë-ShBA mbetet jetik për Kosovën dhe popullin tonë”, ka shkruar presidenti i “Elkos Group”.



