Konjufca takon zyrtarin e lartë italian, në fokus integrimi në BE, NATO dhe bashkëpunimi ekonomik
Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale politike.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), gjatë takimit është biseduar për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe për zhvillimet politike në vend, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re.
Palët kanë diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Konjufca e ka falënderuar zëvendësministrin italian për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke theksuar se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.
Sipas MPJD-së, takimi është zhvilluar në frymë miqësore dhe konstruktive, duke rikonfirmuar përkushtimin e të dyja vendeve për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.



