Temperaturat e larta pengojnë seancat në Pallatin e Drejtësisë, KGjK-ja autorizon masa për reduktim të punës

09 korrik 2026 | 16:13

Problemet me sistemin e klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë po vazhdojnë të vështirësojnë punën e gjykatave, ndërsa temperaturat e larta në sallat gjyqësore kanë ndikuar edhe në shtyrjen e disa seancave.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka njoftuar se sanimi i plotë i sistemit të klimatizimit kërkon kohë dhe mjete të konsiderueshme financiare. Ndërkohë, janë ndërmarrë disa ndërhyrje të pjesshme për përmirësimin e gjendjes.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Besim Spahiu, ka thënë se për këtë problem ka kërkuar reagim nga menaxhmenti i gjykatës, sekretariati dhe KGjK-ja. Sipas tij, pas kërkesave të tij është realizuar një sanim i vogël i sistemit të klimatizimit.

Spahiu ka thënë se më 10 qershor i është drejtuar institucioneve përkatëse lidhur me mungesën e klimatizimit, ndërsa më pas është informuar se është angazhuar një ekip për sanimin e problemit. Ai ka shtuar se për një rregullim të plotë nevojiten mjete buxhetore që aktualisht nuk janë në dispozicion.

Pas përkeqësimit të kushteve, sindikata ka kërkuar edhe reduktimin e përkohshëm të orarit të punës. Spahiu ka mirëpritur vendimin e KGJK-së për t’u lejuar gjykatave të ndërmarrin masa nëse paraqitet nevoja.

Vështirësitë në sallat gjyqësore i ka konfirmuar edhe avokati Arbër Jashari, i cili ka thënë se temperaturat e larta kanë bërë të pamundur vazhdimin e një seance të planifikuar gjatë gjithë ditës në Departamentin për të Mitur.

Sipas tij, gjatë seancës njëra nga palët gati është alivanosur për shkak të temperaturave të larta, ndërsa mungesa e ajrosjes e ka bërë edhe më të vështirë qëndrimin në objekt. Për këtë arsye, seanca është shtyrë për një ditë tjetër.

Jashari ka thënë se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shtyrë pothuajse të gjitha seancat që nuk janë konsideruar urgjente. Sipas tij, shtyrja e seancave ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale, përfshirë të drejtat e të pandehurve dhe palëve të dëmtuara.

Ndërkohë, zëdhënësja për media e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë se gjatë ditëve të fundit është vërejtur përmirësim i gjendjes në ambientet e punës dhe se sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë.

Sipas saj, gjykata aktualisht nuk e konsideron të nevojshme reduktimin ose pezullimin e punës, por do ta monitorojë situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e autorizuara nga KGJK-ja për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit dhe palëve.

Të hënën, KGJK-ja ka autorizuar kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Administrative, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë që të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar versionin e ri…