Zjarri më vdekjeprurës në Spanjë: Të paktën 12 persona humbin jetën, njerëz të vdekur gjenden brenda makinave të tyre (Video))

10 korrik 2026 | 23:00

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Spanjën, ku një zjarr i përmasave të mëdha që përfshiu pasditen e së enjtes provincën e Almerias, u ka marrë jetën të paktën 12 personave. Bilanci i viktimave i konfirmuar nga autoritetet gjatë orëve të para të së premtes, e bën këtë zjarr fatkeqësinë më të rëndë të këtij lloji në vend, duke tejkaluar edhe numrin e viktimave të regjistruara gjatë gjithë vitit 2025.

Sipas autoriteteve spanjolle, disa prej viktimave u gjetën brenda automjeteve të tyre, pasi nuk arritën t’u shpëtonin flakëve që u përhapën me shpejtësi të madhe në zonat pranë Los Gallardos dhe Bedar.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez, shprehu dhimbjen për ngjarjen tragjike dhe u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave. Ai falënderoi gjithashtu ekipet e emergjencës për punën e tyre, duke u bërë thirrje të vazhdojnë operacionet me kujdes maksimal.

Zjarri dyshohet se nisi pranë rrugës kombëtare N-340A, pasi një kabllo elektrike ra në tokë dhe shkaktoi flakët. I favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, zjarri u përhap me shpejtësi, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe duke kërcënuar banesa e zona të banuara.

Në terren u angazhuan rreth 150 zjarrfikës, të mbështetur nga mjete të specializuara, të cilët luftuan gjatë gjithë natës për të vënë flakët nën kontroll. Autoritetet njoftuan gjithashtu se në operacion do të marrë pjesë edhe Njësia Ushtarake e Emergjencave, një repart i specializuar i ushtrisë spanjolle që ndërhyn në fatkeqësi natyrore.

Dhjetëra banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut. Rreth 50 persona kaluan natën në një qendër strehimi të ngritur nga autoritetet, ndërsa disa rrugë u mbyllën për të lehtësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Përveç viktimave, disa persona mbetën të plagosur. Një grua me djegie u dërgua në spital, ndërsa një tjetër u trajtua pasi kishte thithur sasi të mëdha tymi. Katër persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për probleme në frymëmarrje dhe djegie të lehta.

Shërbimet e emergjencës raportuan se morën mbi 150 telefonata nga qytetarët që kërkonin ndihmë, ndërsa flakët përparonin me shpejtësi drejt zonave të banuara.

Spanja po përballet prej ditësh me një valë të fortë të nxehti dhe disa zona të Andaluzisë ishin vendosur në alarm portokalli për shkak të temperaturave ekstreme. Ekspertët paralajmërojnë se kushtet klimatike po favorizojnë gjithnjë e më shumë zjarret e mëdha, të cilat vitet e fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në vend.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, viti 2025 ishte ndër më të rëndët për Spanjën sa i përket zjarreve, me miliona hektarë të përfshirë nga flakët, mijëra vatra zjarri dhe dhjetëra mijëra banorë të detyruar të evakuohen.

Vetëm ditët e fundit, disa zjarre të mëdha kanë shpërthyer në pjesë të ndryshme të vendit. Njëri prej tyre dogji më shumë se 20 mijë hektarë në Katalonjë, pranë zonës turistike të Costa Brava, megjithëse autoritetet kanë bërë të ditur se ai është vënë tashmë nën kontroll. Ndërkohë, beteja me flakët në Almeria vijon, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të shmangur një bilanc edhe më të rëndë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se me miq, ndodhet…