Besim Aliti: Lojërat Mesdhetare 2030 duhet t’i lënë Prishtinës një stadium modern
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga stadiumi “Iacovone” në Taranto, i cili është rindërtuar në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Përmes një postimi në Facebook, Aliti theksoi se stadiumi përfaqëson një investim që nuk do t’u shërbejë vetëm Lojërave Mesdhetare, por edhe qytetit të Tarantos, i cili numëron rreth 185 mijë banorë. Ai vlerësoi se infrastruktura e tillë sportive krijon vlerë afatgjatë për komunitetin dhe zhvillimin e sportit.
Duke iu referuar organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, Aliti shprehu shpresën që edhe kryeqyteti i Kosovës të përfitojë një stadium modern të këtij niveli. Sipas tij, një investim i tillë do të ishte një trashëgimi e rëndësishme për sportin kosovar dhe për gjeneratat e ardhshme.



