Raporti gjashtëmujor i Policisë në Prishtinë: Ulen vjedhjet, grabitjet, dhuna në familje dhe aksidentet fatale
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka mbajtur sot takimin e rregullt të punës, në të cilin është prezantuar raporti periodik për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke reflektuar rezultatet e punës dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Gjatë prezantimit të raportit u bë e ditur se numri i përgjithshëm i rasteve ka shënuar rënie prej 1.6% dhe i incidenteve me 7.4% duke dëshmuar efektivitetin e masave parandaluese, planeve operative dhe aktiviteteve të shtuara policore në teren.
Në aspektin e veprave penale, statistikat tregojnë ulje të dukshme në disa kategori të rëndësishme.
Rastet e vjedhjeve kanë shënuar rënie prej 6.7%, grabitjet kanë shënuar rënie prej 39.1%, rastet e dhunës në familje kanë shënuar rënie prej 10.1% ndërsa lëndimet trupore kanë shënuar rënie me 8.5%
Po ashtu, progres i rëndësishëm është shënuar edhe në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, ku numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie prej 5.6% ndërsa aksidentet me fatalitet kanë pësuar rënie prej 28.6%, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara, zbatimit të planeve operative dhe masave të vazhdueshme për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë takimit u vlerësua puna dhe përkushtimi i zyrtarëve policorë, ndërsa u ritheksua angazhimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për të vazhduar me plane operative, aktivitete parandaluese dhe veprime të koordinuara, me qëllim të forcimit të rendit publik dhe ofrimit të një mjedisi sa më të sigurt për të gjithë qytetarët.



