NPB-ja ekzekuton pagat për punëtorët
Gjykata Supreme e Kosovës, përmes Aktvendimit E.Rev.nr.49/2026, ka prishur dy aktgjykimet e Gjykatës Komerciale, me të cilat Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ishte detyruar të paguante mbi 32 milionë euro.
Supremja ka konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave procedurale dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke ngritur gjithashtu çështje të rëndësishme lidhur me mënyrën e vërtetimit të fitimit të humbur, ekspertizën financiare dhe të drejtën e NPB-së për të paraqitur kundërpadi.
Sipas NPB-së, ky vendim përbën një zhvillim të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të ndërmarrjes dhe të pasurisë publike, ndërsa beteja juridike do të vazhdojë në rigjykim.
Për më shumë se dy muaj, punëtorët e NPB-së kanë vazhduar punën me përkushtim, pavarësisht se kanë mbetur pa paga. Gjatë kësaj periudhe, shërbimet e ndërmarrjes nuk janë ndërprerë për asnjë ditë.
Pas këtij zhvillimi, NPB-ja ka bërë të ditur se janë proceduar dhe ekzekutuar pagat për të gjithë punonjësit.
Ndërmarrja ka falënderuar punëtorët për durimin dhe përkushtimin, avokatin Faton Fetahu, Zyrën Ligjore të Komunës së Prishtinës dhe të gjithë ata që kontribuuan në mbrojtjen e saj.
NPB-ja ka theksuar se do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri të mbrojë interesat e saj, të punëtorëve dhe të pasurisë publike.



