Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, nga ora 11:00, për të shqyrtuar disa çështje, përfshirë caktimin e rendit të ditës për seancën e radhës plenare.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kuvendit, në rend dite është edhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Bëhet fjalë për përzgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë.
Po ashtu, Kryesia pritet të shqyrtojë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Në rend dite përfshihen edhe miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë dhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave.
Njoftimi i plotë:
I. Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë së Kuvendit;
II. Propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës:
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
- Deklarimet jashtë rendit të ditës;
- Pyetjet parlamentare;
- Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës;
- Votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.



