Blerta Deliu në mbështetje të Aulonë Memetit: Aulona nuk foli si gazetare, foli si nënë

13 korrik 2026 | 18:23

Deputetja e PDK-së ka reaguar pas deklarimeve të Aulonë Memetit për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, duke thënë se zëri i një nëne nuk duhet të heshtet.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, i ka dalë në mbështetje Aulonë Memetit, e cila ditë më parë ngriti shqetësime publike për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohet djali i saj.

Përmes një reagimi publik, Deliu tha se Aulona nuk foli në cilësinë e gazetares apo të një figure publike, por si një nënë e shqetësuar për fëmijën e saj.

“Aulona nuk foli si gazetare. Nuk foli si figurë publike. Foli si nënë.

Si një nënë që e pa djalin e saj në spital dhe pati guximin të tregojë atë që përjetoi. Besoj se secili prind që ka kaluar qoftë edhe një natë në Klinikën e Pediatrisë e kupton shumë mirë ndjesinë e pafuqisë që të kap në ato momente.

Prandaj më dhemb kur dëgjoj se Aulona po përballet me presion vetëm pse foli. Një prind flet vetëm kur e ndien se diçka nuk është në rregull dhe kur shpreson që fëmija i dikujt tjetër të mos kalojë të njëjtën përvojë.

Nëse ka diçka që duhet të na shqetësojë, nuk është fakti që një nënë foli. Është fakti që ka pasur arsye të flasë.

Zëri i një nëne që kërkon kushte më të mira për fëmijën e saj nuk duhet të heshtet. Duhet të dëgjohet”, ka shkruar Deliu.

Reagimi i deputetes vjen pasi Aulona Memeti publikoi fotografi nga reparti i Pediatrisë në QKUK, duke denoncuar, sipas saj, kushtet e papërshtatshme në të cilat po trajtohen pacientët, përfshirë edhe djalin e saj. Ajo ka bërë të ditur se pas publikimit të këtyre fotografive është përballur me presion nga stafi i institucionit.

Reagimi i plotë i Aulonë Memetit:

Reagim

Pas statusit tim për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, fatkeqësisht, në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar.

Mbrëmë, rreth orës 23:30, më kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoj ato që kam shkruar në status.

Sot, rreth orës 10:30, më kanë vizituar përsëri, me ç’rast më është thënë se ato që kam shkruar janë të pasakta dhe më është kërkuar të hartoj edhe një raport lidhur me rastin, madje duke më treguar me gisht dhe duke më thënë se duhet ta dorëzoj deri në orën 11:00.

Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse. Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy.

Nuk besoj se duhet të ndihem nën presion, brenda dhomës ku po kujdesem për fëmijën tim, vetëm sepse kam ushtruar të drejtën time për të folur publikisht për atë që kam parë dhe përjetuar.

Dhe kjo, në fund, nuk është çështje e një individi. Është dështim i yni si shoqëri nëse mësohemi me të papranueshmen dhe kemi frikë të kërkojmë më mirë. Sepse, herët a vonë, të gjithë mund të detyrohemi t’i sjellim fëmijët tanë këtu. Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Ngushtica e Hormuzit është E HAPUR dhe do të mbetet…