OJQ-të: U.d. presidentja nuk ka pengesa kushtetuese për ta dekretuar Kryeprokurorin e Shtetit
Organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kanë vlerësuar se procedura është zhvilluar në mënyrë transparente, objektive dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, duke shtuar se nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese apo ligjore që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ta dekretojë kandidatin e nominuar për këtë pozitë, raporton Ekonomia Online.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se organizata e ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e procesit të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
I pyetur nëse ushtruesja e detyrës së presidentit ka kufizime në dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Bugaqku tha se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë sqaruar këtë çështje.
“Ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që e ka bo të qartë që për shkak të administrimit të procesit të drejtësisë, edhe ushtruesi i detyrës së presidentit faktikisht nuk ka ndonjë kufizim, unë besoj që nuk ka asnjë problem që thjesht ta dekretojë kandidatin për kryeprokuror të shtetit. S’ka pengesa kushtetuese ligjore për shkak se e dini ka ekzistuar procesi i amendamenteve kushtetuese atëherë për zgjedhjen e presidentit dhe, atëherë gjykata i ka sqaruar mjaft mirë se edhe ushtruesi i detyrës së presidentit mund t’i kryej të gjitha funksionet pa asnjë problem”, tha ai.

Edhe Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se procesi është zhvilluar në përputhje me standardet ligjore dhe rregullative.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi, siç edhe e keni pa në bashkëpunim me organizatat e KDI dhe FOL, ka publikuar një raport preliminar me të cilin e ka ndarë si vlerësime pozitive duke u respektuar procesi, procedurat dhe duke u respektuar standardet e përcaktuara me rregullore dhe legjislacionin në fuqi për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit”, tha ai për EO.
Kabashi tha se, ndryshe nga procesi i kaluar, kësaj radhe janë respektuar të gjitha standardet e nevojshme.



