Rritet presioni ndaj Abdixhikut, edhe dega e LDK-së në Rahovec ia kërkon dorëheqjen
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec u është bashkuar degëve që kanë kërkuar zgjedhje të reja në këtë parti.
Kryetari i kësaj dege, Burim Krasniqi, ka bërë me dije se delegatët e kësaj dege i kanë dhënë nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në një prononcim për Ekonomia Online, ai ka thënë se Abdixhiku duhet të jap dorëheqje.
“Dega jonë në Rahovec kemi kërkuar që zgjedhjet të mbahen në të gjitha strukturat e LDK-së, degët, nëndegët dhe në nivel qendror për shkak të rezultatit jo të mirë zgjedhor. Dega jonë ka dhënë nënshkrimet (për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së për shkarkimin e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku)”, ka thënë ai.
I pyetur nëse nënshkrimet do të dorëzohen nesër, pas raportimeve në media, ai tha se një gjë e tillë mund të ndodhë.“Mund të ndodhë që i dorëzojmë nesër”, tha ai.



