BDI: Për herë të parë që nga viti 2007, RTVM mbetet pa asnjë drejtor shqiptar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një reagimi ka theksuar se koalicioni VMRO-ZNAM-VLEN po e vë nën kontroll të plotë politik Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut, duke rrënuar pavarësinë, profesionalizmin dhe karakterin multietnik të servisit publik.
“Pas emërimit të paligjshëm të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, skandali është thelluar edhe më tej me faktin se shqiptarët kanë humbur edhe postin e drejtorit të Radios. Për herë të parë që nga viti 2007, shqiptarët kanë mbetur pa asnjë pozitë drejtuese në nivel drejtorësh në RTVM, ndonëse bëhet fjalë për një institucion publik që financohet nga të gjithë qytetarët dhe që ka për detyrim ligjor të pasqyrojë karakterin multietnik të shtetit. Pas gati dy dekada është shuar praktika institucionale dhe profesionale, sipas së cilës, kur drejtori ishte maqedonas, njëra nga dy nëndrejtoritë kryesore: Radioja ose Televizioni, drejtohej nga një kuadër shqiptar. Kjo nuk ishte privilegj, por një mekanizëm për të garantuar balancën etnike, zhvillimin e barabartë programor dhe pavarësinë editoriale të servisit publik”, thuhet në reagimin e BDI-së
Sipas kësaj partie, fatkeqësisht, kjo traditë institucionale u rrënua me heshtjen e anëtarëve shqiptarë të Këshillit Programor të emëruar nga VLEN, të cilët nuk e kundërshtuan emërimin e një kuadri maqedonas në krye të Radios, edhe pse ai funksion i kishte takuar shqiptarëve që nga viti 2007.
“Heshtja e tyre nuk ishte rastësi, por bashkëpjesëmarrje në projektin për eliminimin e shqiptarëve nga pozitat vendimmarrëse në RTVM. Ndërkohë, për të tretën ditë me radhë, Këshilli Programor i RTVM-së hesht për emërimin e kundërligjshëm të zëvendësdrejtorit, një person që nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kriteret e konkursit. Ky rast kërkon hetim urgjent nga institucionet kompetente. Emërimi dëshmon se kriteri i vetëm ka qenë lojaliteti politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ndërsa punonjësit shqiptarë në RTVM kanë mbetur pa mbështetje institucionale dhe servisi publik po shndërrohet në instrument të propagandës qeveritare”, thuhet në reagim.
BDI ka theksuar se nuk do të heshtë përballë këtij degradimi dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për ta mbrojtur ligjshmërinë, profesionalizmin dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.



