Latifi për Kuvendin e LDK-së: Pala që humbet betejën duhet të përballet me pyetjen nëse ka vend në parti

16 korrik 2026 | 12:04

Analisti politik, Blerim Latifi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës ku delegatë të saj deponuan nënshkrime për nismën për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Ky i fundit më pas doli në një video ku njoftoi se ka pezulluar bisedimet për marrëveshje të mundshme me Vetëvendosjen për krijim të institucioneve.

Para zgjedhjeve të qershorit, Abdixhiku përsëriste shpesh se e ka misionin bashkimin e së djathtës brenda partisë së tij me rikthimin e Vjosa Osmanit në listën e LDK’së.

Latifi tha se u nisën me flamurin e bashkimit të së djathtës dhe se sot janë në fillim të një çarje tjetër të madhe të partisë.

“Kjo çarje ka arsye që nuk kërkojnë shumë mund për t’u kuptuar: ata në LDK që kanë vuajtur më së shumti sulmet nga pushteti i binomit Kurti–Osmani, nuk mund të bëheshin brenda natës mikpritës të kthimit të Vjosa Osmanit në LDK”, thotë Latifi.

Ai shton se kishte vetëm një mundësi që plagët e tyre të qetësoheshin dhe pajtimi të arrihej: Vjosa duhej të kthente një përqindje të madhe të elektoratit që kishte ikur bashkë me të në listën e Vetëvendosjes në vitin 2021.

“Meqë kjo nuk u arrit, të zemëruarit me Vjosën nuk kishin më arsye të heshtnin. Heshtja e tyre bëhej edhe më e pamundur nga fakti se strategjia elektorale e Lumirit dhe Vjosës linte të kuptohej se ata e kishin në mendje një koalicion me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Vetë Vjosa, atë natë, në minutat e para pas mbylljes së kutive të votimit, e zbuloi planin. Ajo nuk e fshehu se kthimi i saj në LDK ishte i përkohshëm: ajo ishte kthyer në LDK jo për LDK-në, por për ta përdorur edhe një herë atë si mjet në rrugën e rikthimit në zyrën e Presidencës”.

Natyrisht, thotë Latifi, kjo mund të ketë irrituar shumë njerëz për të cilët LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një identitet personal e historik.

“Dhe të tillë në LDK ka shumë. Lumiri, duke i bërë fresk këtij plani të Vjosës, nuk po e kuptonte se kupa ishte mbushur dhe nuk mbante më. Kështu filluan rebelimet e degëve dhe mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit, ku tashmë duket se bashkimi nuk është më skenari më i mundshëm”.

Latifi tha se vetë logjika e thirrjes së këtij Kuvendi i tregon qartë pasojat e tij: një kuvend i thirrur për të zgjidhur një konflikt të brendshëm rrallëherë mbetet vetëm një procedurë teknike.

“Ai zakonisht shndërrohet në betejë për drejtimin dhe identitetin e një partie. Dhe, natyrisht, pala që e humbet këtë betejë do të përballet me pyetjen themelore nëse ka ende vend për të në shtëpinë e vjetër apo është koha për të dalë prej saj?”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hanife Salihu Deklarata e ministres serbe për administratë publike…