BE-ja përgatit “mburojën demokratike” për Ballkanin

19 korrik 2026 | 20:57

Sinjal se lufta për zgjerimin nuk zhvillohet më vetëm në tavolinën politike

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po hyn në një fazë të re, ku sfida nuk lidhet më vetëm me përmbushjen e kritereve politike, ekonomike apo ligjore.

Brukseli po e sheh gjithnjë e më qartë se vendet kandidate po përballen me një tjetër front – atë të luftës hibride, dezinformimit dhe ndërhyrjeve të jashtme që synojnë të dobësojnë institucionet demokratike dhe të ngadalësojnë rrugën drejt integrimit evropian.

Pikërisht në këtë kontekst, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se Komisioni Evropian po harton një strategji të re për mbrojtjen e vendeve kandidate nga ndikimet e jashtme, manipulimi i informacionit, kërcënimet hibride dhe përdorimi i teknologjive të reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale, gjatë proceseve zgjedhore.

Sipas saj, në fillim të vitit 2027 pritet të nisë funksionimin një Qendër për Rezistencë Demokratike, e cila do të mbulojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të shërbejë si një mekanizëm koordinues për mbrojtjen e demokracisë, sigurisë zgjedhore dhe integritetit institucional.

“Shtetet kandidate po sulmohen thjesht sepse kanë zgjedhur integrimin në BE dhe demokracinë”, deklaroi Kos, duke theksuar se Bashkimi Evropian synon të ndërtojë kapacitete konkrete për t’i bërë këto vende më rezistente ndaj fushatave të dezinformimit dhe manipulimit të opinionit publik.

Platforma mbi të cilën do të ndërtohet kjo qendër është ende në përgatitje dhe pritet të diskutohet më 4 shtator gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate.
Rasti i Malit të Zi si alarm për Brukselin

Në argumentimin e saj, Kos solli si shembull Malin e Zi, duke e cilësuar si një rast konkret të përshkallëzimit të sulmeve hibride.

Sipas saj, vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian njoftoi fillimin e punës për përgatitjen e traktatit të pranimit të Malit të Zi në BE, autoritetet malazeze kërkuan mbështetje nga Brukseli përballë një vale të re sulmesh hibride dhe fushatash dezinformuese.

Komisionerja tha se që prej atij momenti është vërejtur një intensifikim i narrativave kundër integrimit evropian, duke e konsideruar këtë një tregues se sa i ndjeshëm është procesi i zgjerimit ndaj ndërhyrjeve të jashtme.

Për këtë arsye, Komisioni Evropian ka nisur dërgimin e ekipeve të specializuara në vendet kandidate për të vlerësuar kapacitetet institucionale që ato disponojnë për mbrojtjen e demokracisë dhe për të identifikuar boshllëqet që kërkojnë mbështetje.
Ballkani, terren prove për luftën hibride

Deklaratat e Marta Kos pasqyrojnë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si Bashkimi Evropian e koncepton procesin e zgjerimit. Nëse deri pak vite më parë fokusi ishte pothuajse ekskluzivisht te reformat në drejtësi, administratë apo ekonomi, sot siguria demokratike po trajtohet si një kusht po aq i rëndësishëm.

Sipas Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor po shndërrohen gjithnjë e më shumë në terrene ku testohen metoda të reja të manipulimit të informacionit, ndërhyrjeve kibernetike dhe ndikimit politik, të cilat më pas mund të përdoren edhe ndaj vendeve anëtare të BE-së.

Në këtë kuptim, mbrojtja e demokracisë në Ballkan nuk shihet vetëm si interes i vendeve kandidate, por edhe si një investim në sigurinë politike të vetë Bashkimit Evropian.
Zgjedhjet e ardhshme, një provë për rezistencën demokratike

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re lidhet me zgjedhjet që do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm në disa prej vendeve kandidate.

Brukseli vlerëson se periudhat zgjedhore janë momentet kur intensifikohen më shumë fushatat e dezinformimit, përhapja e lajmeve të rreme dhe përpjekjet për të ndikuar perceptimin e qytetarëve përmes platformave digjitale dhe Inteligjencës Artificiale.

Qendra e re për Rezistencë Demokratike pritet të ofrojë mbështetje teknike, ekspertizë dhe koordinim për institucionet kombëtare, me synimin për të garantuar procese zgjedhore më të sigurta dhe më transparente.
Sfida nuk është vetëm te vendet kandidate

Megjithatë, Marta Kos pranoi se beteja për zgjerimin nuk zhvillohet vetëm në Ballkan. Sipas saj, rezistencë ndaj pranimit të anëtarëve të rinj ekziston edhe brenda vetë Bashkimit Evropian.

Ajo theksoi se Komisioni Evropian ka nisur prej një viti një fushatë angazhimi në ato shtete ku mbështetja publike për zgjerimin është nën 50 për qind, me fokus të veçantë Francën.

Sipas saj, edhe nëse vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre, procesi mund të përballet me pengesa politike nëse opinioni publik në disa vende anëtare mbetet skeptik ndaj zgjerimit.

Nisma për krijimin e Qendrës për Rezistencë Demokratike tregon se Bashkimi Evropian po e trajton sigurinë demokratike si pjesë integrale të procesit të anëtarësimit.

Në një kohë kur lufta e informacionit është bërë po aq e rëndësishme sa diplomacia tradicionale, mbrojtja e institucioneve, proceseve zgjedhore dhe besimit të qytetarëve konsiderohet një element kyç për suksesin e zgjerimit.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria, kjo nënkupton se rruga drejt BE-së nuk do të matet vetëm me kapitujt e negociatave dhe reformat institucionale, por edhe me aftësinë për t’i rezistuar ndërhyrjeve hibride, manipulimit të informacionit dhe presioneve që synojnë të minojnë orientimin e tyre strategjik drejt familjes evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalja e Kupës së Botës 2026 nuk do të vendosë…