Çitaku: Tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, nën masa ndëshkuese dhe me marrëdhënie të lënduara me aleatët tanë strategjikë, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore”.
“Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që dëmton imazhin e vendit tonë. Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”, ka shkruar Çitaku në ‘Facebook’.
Ajo ka thënë se dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. “Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, jo me vetëkënaqësi e konfrontim. Me këtë mënyrë të qeverisjes, rrezikojmë të mbetemi në periferi. Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë”, ka shkruar Çitaku.



