Reagim me shkas: Shota nuk mund të ndahet nga Azem Galica!
Shkruan: Shyqyri Haxha
Me keqardhje po shohim një tendencë për ta paraqitur Shote Galicën të shkëputur nga Azem Galica. Kjo nuk i shërben as historisë, as figurës së saj.
Siç edhe mund ta shihni në këtë ftesë per manifestim, edhe posteri flet vetë. Figura e Shote Galicës është prerë nga fotografia e njohur historike ku ajo qëndron pranë Azem Galicës, ndërsa Azemi është larguar nga imazhi. Është paradoksale të përdoret fotografia e tyre e përbashkët, por të fshihet njëri prej tyre.
Nëse e quani Shote Galica, atëherë duhet ta pranoni edhe historinë e saj. Emrin “Shote” dhe mbiemrin “Galica” ajo i mbajti si bashkëshorte e Azem Galicës. Nëse synohet ta paraqisni të ndarë prej tij, atëherë përdorni vetem emrin e saj të lindjes, Qerime Halil Radisheva. Nuk mund të mbahet mbiemri Galica, ndërsa të fshihet vetë Galica.
Shota nuk bëhet më e madhe duke u ndarë nga Azemi. Përkundrazi, ata janë simbol i një lufte, një ideali dhe një sakrifice të përbashkët. Aq më tepër, në një manifestim në vendlindjen e saj, mungesa e emrit të Azem Galicës është e pakuptimtë.
Edhe më e dhimbshme është se ende nuk janë përmbushur detyrimet kombëtare për kthimin e eshtrave të Shote Galicës pranë varrit të zbrazët të Azem Galicës. Në vend që të merremi me këtë amanet historik, po krijojmë ndarje artificiale mes dy figurave që historia i ka bërë të pandashme.
Shote Galica nuk mund të nderohet duke u ndarë nga Azem Galica. Historia nuk rishkruhet duke heshtur emrin e Azemit apo duke e hequr nga fotografia. Ata janë një emër, një ideal dhe një sakrificë.





