Deputeti i PDK-së: Specialja u mbështet në materiale të Serbisë

19 korrik 2026 | 13:48

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar në lidhje me procesin në Gjykatën Speciale, duke theksuar se Serbia që dëshiron ringjalljen e Millosheviqit dhe spastrimin etnik të shqiptarëve ishte adresa e furnizimit të dezinformatave në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.

“Gjykata Speciale ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të procesit të saj mbi materiale dhe narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë”, ka shkruar Behrami në ‘Facebook’.

“Në emër të kësaj narrative dhe këtij aparati, ditë më parë foli ministrja e Vuçiqit, Snezhana Paunoviq, e cila kërkoi spastrimin e Kosovës nga shqiptarët”, ka shkruar ai.

Behrami ka thënë se paradoksi është i madh.

“Nga njëra anë, përfaqësues të shtetit serb vazhdojnë të relativizojnë spastrimin etnik të Kosovës pa u përballur me pasoja politike nga Perëndimi. I mohojnë masakrat, i mohojnë dhunimet, i mohojnë djegiet, shkatërrimet. E mohojnë Reçakun dhe 400 masakra të tjera në Kosovë!”.

“Nga ana tjetër, i njëjti aparat shtetëror trajtohet si burim i besueshëm nga Gjykata Speciale për ndërtimin e një narrative që synon ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale. Pra, përveç kriminalizimit të UÇK-së, Gjykata po synon të zbehë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e saj dhe t’ia transferojë barrën morale viktimës”, ka shkruar Behrami.

Ai ka theksuar se nuk mund të ketë drejtësi mbi standarde të dyfishta dhe pajtim duke relativizuar krimet e Serbisë.

“Dhe nuk mund të ketë besim në një proces gjyqësor që mbështetet në narrativën e një shteti, përfaqësuesit e të cilit edhe sot shprehin keqardhje që spastrimi etnik i shqiptarëve nuk u përfundua!”, ka shkruar deputeti Behrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar ndaj vonesës së…