Policia parandalon kontrabandë me mallra në Zubin Potok, arrestohet një i dyshuar
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut.
Më 19 korrik 2026, rreth orës 03:38, gjatë patrullimit në fshatin Bube, njësitë policore kanë vërejtur disa automjete të dyshuara. Pasi nuk iu bindën urdhrave për ndalim, zyrtarët policorë kanë përdorur armën zyrtare, në përputhje me autorizimet ligjore.
Si rezultat, është arrestuar një person dhe është ndaluar një automjet VW Sharan, në të cilin janë gjetur pije alkoolike dhe joalkoolike pa dokumentacion përcjellës, të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës. Nga incidenti nuk ka persona të lënduar.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente të hetimeve dhe forenzikës, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Kontrabandimi i mallrave”, ndërsa i arrestuari është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme në vend.



