IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për 9 shtator të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë funksionalizimit të institucioneve të vendit.
Në një reagim të publikuar të martën, IKD e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e PDK-së dhe LDK-së për të marrë pjesë në seancë, duke theksuar se tashmë përgjegjësia e të gjithë deputetëve është që procesi të mos bllokohet sërish.
Sipas IKD-së, afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit është tejkaluar dhe kjo përbën shkelje që duhet të konstatohet e të mos relativizohet. Megjithatë, instituti thekson se tejkalimi i këtij afati nuk mund të përdoret si arsye për të vazhduar bllokadën institucionale.
IKD ka kritikuar veçanërisht veprimet dhe mosveprimet e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i bërë përgjegjës për pamundësimin e përfundimit të procesit brenda afatit kushtetues.
“Shkelja që ka ndodhur nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”, thuhet në reagimin e institutit.
IKD vlerëson se, pavarësisht tejkalimit të afatit, kjo legjislaturë nuk e humb automatikisht të drejtën për të ushtruar kompetencat e saj kushtetuese. Për rrjedhojë, sipas institutit, ekziston rruga ligjore që Kuvendi të konstituohet dhe të vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.
IKD ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës vetëm sa do ta thellonte krizën institucionale dhe do ta mbante vendin pa institucione funksionale.
“Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t’i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në përfundim të reagimit.
Sipas IKD-së, mbrojtja e Kushtetutës nuk nënkupton vazhdimin e një gjendjeje jofunksionale, por rikthimin e institucioneve në funksion dhe respektimin e detyrimeve kushtetuese.



