Publikohen rezultatet e PISA 2025, Kosova mbetet nën mesataren e OECD-së
Janë publikuar rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025, ku Kosova ka marrë pjesë me 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla.
Sipas rezultateve, performanca mesatare e nxënësve të Kosovës në shkencë është 357 pikë, ndërsa në lexim 340 pikë.
Krahasuar me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur në të njëjtin nivel, ndërsa në lexim ka shënuar një rënie të lehtë nga 342 në 340 pikë.
Në matematikë, Kosova ka arritur 350 pikë, që është pesë pikë më pak se në vitin 2022. Ndërkaq, në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, rezultati mesatar ishte 359 pikë.
Rezultatet në të katër treguesit kryesorë të performancës mbeten nën mesataren e vendeve anëtare të OECD-së.
Vajzat më mirë se djemtë
Në PISA 2025, vajzat kanë shënuar rezultate më të larta se djemtë në të tria fushat kryesore të vlerësimit.
Në shkencë, vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh. Në lexim, diferenca është edhe më e madhe: vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë të djemve.
Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.
Vetëm një pjesë e nxënësve arrijnë nivelin bazë
Gjetjet e PISA 2025 tregojnë se vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë kjo përqindje është 15 për qind, dhe në lexim rreth 16 për qind.
Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël. Për këtë arsye, rekomandohet një qasje e dyfishtë: mbështetje më e madhe për nxënësit me rezultate të ulëta dhe programe të veçanta për zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë.
Mungesat në shkollë, një tjetër shqetësim
Raporti evidenton edhe problemin e vijueshmërisë në shkollë. Rreth 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë munguar të paktën në një orë mësimore.
Sipas gjetjeve, kjo tregon nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.
Raporti rekomandon forcimin e të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, zhvillimin e mësimdhënies përmes zgjidhjes së problemeve dhe situatave reale, forcimin e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, përdorimin më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, si dhe përmirësimin e klimës së të nxënit dhe disiplinës pozitive.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës pritet t’i analizojë gjetjet dhe të dhënat e PISA 2025, ndërsa raporti do të shërbejë si referencë për ndërhyrjet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike që do të përfshihen në Strategjinë e re të Arsimit.



