U raportua e zhdukur në Prizren, 20-vjeçarja gjendet duke fjetur në një veturë – tregon pse ishte larguar nga shtëpia
20-vjeçarja nga Prizreni, e cila ishte raportuar e zhdukur nga familjarët, është gjetur nga Policia pas disa ditësh, ndërsa ka deklaruar se ishte larguar nga shtëpia me vullnetin e saj dhe nuk kishte qenë viktimë e ndonjë dhune, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Sumeja Gashin (2006).
Sipas burimeve të Sinjalit, fillimisht më 17 korrik, njerka e saj, N. K. (1995), kishte raportuar në Polici se Sumeja ishte larguar nga shtëpia më 16 korrik, rreth orës 01:00, dhe se, pavarësisht kërkimeve të familjarëve, nuk dihej vendndodhja e saj. Sipas raportimit, ishte hera e parë që ajo largohej nga shtëpia.
Megjithatë, më 19 korrik, Policia e ka lokalizuar Sumeja Gashin duke fjetur në një veturë në rrugën “Tahir Meha” në Prizren. Ajo ndodhej në shoqërinë e M. S..
Pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, 20-vjeçarja ka deklaruar se nuk ishte dhunuar në asnjë mënyrë, se ishte larguar me dëshirën e saj nga shtëpia dhe se gjatë gjithë kohës kishte qëndruar me personin në fjalë.
Pas përfundimit të procedurave policore, njerka e ka marrë 20 vjeçaren dhe e ka dërguar në shtëpi.
Rasti është evidentuar si person i zhdukur – i gjetur, ndërsa pas deklarimeve të viktimës nuk është konstatuar ndonjë element që do të ngrinte dyshime për vepra të tjera penale.



