KUSH E DREJTON TIMONIN E KOSOVËS?

20 korrik 2026 | 21:31

Autor: Lirim Gashi

Gjykata Speciale për Kosovën është një përbindësh që nuk lindi në ndonjë shpellë të miteve të lashta, por në tryezat kombëtare dhe ndërkombëtare të një politike të sëmurë, ku idetë dhe akuzat monstruoze të Milan S. Protićit, Bruno Vekarićit, Carla Del Pontes dhe Dick Martyt gjetën duar të gatshme për ta krijuar dhe për t’i dhënë jetë.

Por tragjedia nuk qëndron vetëm te krijimi i këtij përbindëshi politik.

Tragjedia edhe më e madhe është se u gjetën shqiptarë që, me votat e tyre, ia hapën dyert këtij përbindëshi, duke e vendosur mbi shtetin e Kosovës me një përkulje të turpshme e servile dhe duke i thënë:

“Urdhëro, zoti Përbindësh!

Bëj me sovranitetin tonë çfarë të duash. Shkele, poshtëroje dhe trajtoje si një pronë pa zot.”

Kosova ndonjëherë më ngjan me një automobil luksoz, të cilin blerësi e paguan me çmimin më të lartë të tregut.

Pronari i fabrikës, gjatë ceremonisë së dorëzimit, ia organizon blerësit një spektakël madhështor: qilim të kuq, kamera, flamuj, orkestër dhe fjalime aq të mbushura me patetikë, saqë edhe vidat e automobilit skuqen nga turpi.

Në fund të ceremonisë, pronari i fabrikës ia dorëzon blerësit çelësat me një buzëqeshje solemne, sikur t’ia kishte dhuruar tërë botën.

Blerësi ulet krenar pas timonit.

E fut çelësin.

Asgjë.

E shtyp pedalin e gazit.

Asnjë reagim.

E rrotullon timonin. Ai bindet dhe lëviz me përpikëri, por rrotat refuzojnë të ecin.

Atëherë ai e kupton një të vërtetë të fshehur:

Makina nuk drejtohet nga timoni i tij, por nga një telekomandë e padukshme, sinjalet e së cilës vijnë nga Beogradi, Moska, Madridi, Nikozia, Athina, Bukureshti dhe Bratislava.

Atij i mbetet vetëm një rol ceremonial: t’i mbajë çelësat në xhep dhe çdo mëngjes ta bindë veten se është pronari dhe drejtuesi i saj.

Një pjesë e klasës sonë politike i ngjan kameleonit më servil të evolucionit politik.

Sepse autorët kryesorë të doktrinës sonë kombëtare kameleonike dhe servile, në mëngjes e shpallin veten arkitektë të pavarësisë.

Në drekë paraqiten si pronarë të shtetit.

Në mbrëmje dalin para kamerave dhe sillen si mbrojtës të pazëvendësueshëm të dinjitetit kombëtar.

Por asnjëherë nuk i ka shqetësuar seriozisht pyetja më thelbësore:

Kush e drejton vërtet timonin e makinës së tyre?

Madje, shumë prej tyre u bënë mirëmbajtësit më besnikë të telekomandës që e drejton.

Kur bateritë e saj dobësoheshin, ata i ndërronin.

Kur butonat mbuloheshin nga pluhuri, ata i pastronin.

Dhe kur sinjali dobësohej, ngjiteshin mbi çati dhe e rrotullonin antenën derisa lidhja të rikthehej me fuqinë maksimale.

Sepse një shtet vërtet sovran do të ishte një rrezik serioz për karrierat e tyre politike.

Në një vend ku ligji nuk shkelet përmes telefonatave të fshehta, ku drejtësia nuk negociohet me partitë politike dhe ku pushteti nuk trashëgohet si pasuri familjare, shumë prej tyre nuk do ta shihnin shtetin nga kolltuku i ministrit, por nga ana tjetër e hekurave të qelisë.

Prandaj, sa herë që përmendet integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian, fytyrat e tyre zbehen si fytyrat e nxënësve kur mësuesi hyn në klasë me testet në dorë.

Sepse Bashkimi Evropian nuk funksionon me telekomanda.

Ai funksionon me ligje të rrepta, me institucione të besueshme dhe me përgjegjësi e llogaridhënie maksimale. Dhe rregullat kanë një veçori që për disa njerëz është jashtëzakonisht e pakëndshme:

Ato nuk njohin heronj të vetëshpallur. Ato njohin vetëm përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona kanë humbur jetën këtë të hënë pas një…