Raporti i Platformës së KiE-së: Kosova me në rënie të lirisë së mediave, përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen
Kosova ka shënuar një rënie të dukshme të lirisë së mediave gjatë tri viteve të fundit, sipas raportit të Platformës së Këshillit të Evropës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarëve.
Raporti 20-faqësh u publikua sot, pas vizitës që një delegacion ndërkombëtar, i përbërë nga përfaqësues të tetë organizatave mediatike, zhvilloi në Prishtinë më 24-26 mars 2026.
Në raport thuhet se “disa standarde të lirisë së mediave janë cenuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje”, duke përmendur një sërë zhvillimesh që, sipas autorëve, kanë ndikuar negativisht në mjedisin mediatik në Kosovë.
Një nga rastet e veçuara është raportimi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i bazuar në një artikull të medias boshnjake “Slobodna Bosna”, ku pretendohej se portalet Nacionale dhe Periskopi financoheshin nga Serbia.
Sipas raportit, RTK e publikoi lajmin pa verifikim paraprak, gjë që shkaktoi reagime të mëdha politike dhe publike.
“Për më tepër, delegacioni vëren rastin në vazhdim që lidhet me publikimin e një raporti nga RTK, të bazuar në një media nga Bosnja dhe Hercegovina pa verifikim paraprak, i cili pretendonte se dy media online, Nacionale dhe Periskopi, financoheshin nga Serbia. Raportimi shkaktoi reagim të madh nga partia në pushtet dhe mbështetësit e saj, të cilët i bënë thirrje prokurorisë t’i hetojë të dy mediat”, thuhet në raport.
Raporti rikujton se vendimet e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe hetimi i brendshëm i RTK-së konstatuan se transmetuesi publik kishte shkelur standardet profesionale dhe etike, pasi nuk kishte verifikuar informacionin para publikimit.
Po ashtu, theksohet se RTK publikoi më pas reagimin bazuar në vendimin e KPM-së, ndërsa Nacionale ka ngritur padi për shpifje ndaj RTK-së. Seanca e parë është mbajtur më 5 maj 2026, ndërsa procesi gjyqësor vazhdon.
Raporti evidenton gjithashtu se Kosova ka rënë 28 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave që nga viti 2023, duke u renditur aktualisht në vendin e 84-të nga 180 shtete.
Delegacioni kritikoi edhe retorikën e kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetarëve. Në raport citohet një rast kur ai i ishte drejtuar një gazetareje të Klan Kosovës me fjalët: “Thoni pronarëve të medias suaj t’i kthejnë milionat në buxhetin publik”.
Në një rast tjetër, sipas raportit, Kurti i përshkroi disa media online si pjesë e një “Trekëndëshi të Bermudës” që synon fundosjen e Kosovës.
Zyra e Kryeministrit, në përgjigjen e saj ndaj delegacionit, ka deklaruar se “Ai (Kurti) kurrë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj gazetarëve.” Megjithatë, raporti thekson se kryeministri “nuk bëri asnjë zotim konkret” për të shmangur në të ardhmen përdorimin e gjuhës përçmuese ndaj mediave.
Sipas raportit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka regjistruar 69 raste sulmesh dhe presioni ndaj gazetarëve gjatë vitit 2025, ku pjesa më e madhe lidhej me denigrimin nga zyrtarë publikë.
Raporti ndalet edhe te Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, i miratuar në vitin 2024, i cili u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese në prill 2025. Gjykata konstatoi se dispozitat për zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve cenonin pavarësinë e KPM-së.
Po ashtu, procesi i emërimit të bordeve të RTK-së dhe KPM-së në prill 2026 konsiderohet problematik, ndërsa delegacioni vlerëson se këto emërime “duhet të shihen si vazhdim i së njëjtës qasje” që çoi në ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Raporti trajton edhe gjendjen financiare të RTK-së. Sipas tij, Kuvendi ndau 8.96 milionë euro për transmetuesin publik në vitin 2025, më pak se gjysma e financimit të paraparë me ligj.
Nga ana tjetër, Zyra e Kryeministrit argumentoi se detyrimi ligjor për këtë nivel financimi kishte skaduar, por delegacioni thekson se ligji aktual për RTK-në mbetet ende në fuqi dhe duhet të zbatohet.
Në raport përmenden edhe pretendimet e gazetarëve të RTK-së për procedura disiplinore dhe suspendime pas refuzimit të publikimit të lajmeve të “porositura”, si dhe fakti se drejtori aktual i televizionit publik është ish-donator i Lëvizjes Vetëvendosje, çështje që, sipas gazetarëve, ngre shqetësime për pavarësinë editoriale.
Delegacioni shpreh shqetësim edhe për propozimet e disa zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes për rikriminalizimin e shpifjes, duke theksuar se një hap i tillë do të ishte në kundërshtim me standardet evropiane për lirinë e shprehjes.
Në përfundim, raporti vlerëson se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ndërmarrë reforma të rëndësishme për të rikthyer besimin në institucionet demokratike dhe për të garantuar mbrojtjen e lirisë së mediave.



