Istogu përfiton 1.65 milion euro nga Qeveria e Kosovës për projektin e banimit social, do të përfitojnë 60 familje
Komuna e Istogut ka përfituar një grant në vlerë prej 1 milion e 650 mijë eurosh nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.
Marrëveshja e grantit është nënshkruar dje nga kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, në kuadër të këtij projekti që synon përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë.
Përmes këtij investimi do të mundësohet renovimi i 55 shtëpive dhe rindërtimi i pesë shtëpive, duke përfshirë gjithsej 60 familje përfituese.
“Ky projekt përbën një investim të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe në krijimin e një banimi më të sigurt dhe më dinjitoz për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Komuna e Istogut mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me institucionet qendrore dhe realizimit të projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”, ka njoftuar Komuna e Istogut.



