FJALA E ALI AHMETIT NË LIKOVË
Të nderuar vëllezër e motra,
Të dashur delegatë e delegate,
Familje të dëshmorëve,
Invalidë të luftës,
Kryesi e punës,
Dega e posazgjedhur e Bashkimit Demokratik për Integrim,
Komitet i Veteranëve,
Këshilli Mbikëqyrës!
Ju uroj suksese, punë të mbarë, bashkë me Kryetarin e Degës, Avniun, për suksese të reja e punë në dobi të çështjes kombëtare, si të mbrojtjes, ashtu edhe të avancimit të mëtejshëm të shqiptarëve në viset e veta këtu në Maqedoni.
Unë jam sot këtu me bashkëpunëtorë të afërt, me deputetë, nënkryetarë, sekretarë, për të dhënë një porosi se, Avni, do të jemi pranë në çdo moment për përforcim të organeve të Bashkimit Demokratik për Integrim këtu në bazë.
Mirëpo, në veçanti doja të përshëndesja Komitetin e Veteranëve, që – Sadulla, aty i ke shumicën e ushtarëve, bashkëluftëtarëve tu, sepse për 25 vjet nuk kanë njohur humbje, por vetëm suksese.
Dhe sot ata do të jenë pas degës së Bashkimit Demokratik për Integrim, këshilldhënësit e Bashkimit Demokratik për Integrim të degës së Likovës, njerëzit e urtë të Bashkimit Demokratik për Integrim që dinë të fitojnë luftën, po dinë të ndërtojnë edhe paqen.
Ata janë Komiteti i Veteranëve të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Më bëri përshtytje Fadil Sulejmani: “Ne duam laps, laps, nuk duam armë. Ne duam stabilitet, ne duam prosperitet.”
Është shumë e vërtetë që shqiptarët luftën s’e kanë dashur.
Shqiptarët kanë dashur të jenë të lirë e të barabartë në vendin e vet, pa i rënë qafë kërkujt.
Mirëpo, si përfundoi kërkesa e shqiptarëve?
Me të vrarë.
Universiteti u hap me gjak, i palegalizuar, e mbante vetë populli.
Si përfunduan ngjarjet e Gostivarit për flamur?
Duke i vrarë shqiptarët dhe duke shkarkuar mllefin e tyre antishqiptar, policia fashiste maqedonase me helmetat e kokës ua merrte shpirtin të rinjve shqiptarë vetëm e vetëm se kërkonin flamur e të drejta.
Kërkuan deputetët ndryshimin e Kushtetutës, të avancimit të shqiptarëve, Stojan Andovi i ra Kushtetutës sipër, tha: “Kjo bëhet, mirëpo kjo bëhet me armë.”
Dhe tani, kur krisi arma, pse krisi arma?
Ne të drejtat nuk i kemi fituar se na i ka dhënë dikush.
Ne ndryshimin e Kushtetutës dhe barazinë tonë si element shtetformues i kemi fituar me gjak!
Ne nuk duam luftë, por nëse dikush ia bën hyzmetin luftës, nëse i bën hyzmetin së keqes, keq do të gjesh.
Ne kemi investuar dhe investojmë për stabilitet dhe paqe.
Ne, Sadullah Duraku, i fituam politikisht, ushtarakisht, i fituam në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, fituam në të gjitha proceset, dhe këto procese edhe në të ardhmen do t’i fitojmë.
Do t’i fitojmë sepse e drejta është në anën tonë, arsyeja është në anën tonë, vizioni është në anën tonë.
Ne brenda një viti kemi bindur të gjithë komunitetin ndërkombëtar se ky shtet nuk mbahet me vazalë, po mbahet me përfaqësues legjitimë.
Kështu ruhet paqja, stabiliteti, siguria dhe ardhmëria e këtij vendi.
Dhe në krahun tonë do të kemi të gjitha forcat progresive në Uashington, Bruksel dhe në të gjitha kancelaritë e Evropës.
Pala maqedonase që fitoi zgjedhjet me politikë nacionaliste, për fat të keq antishqiptare – duke filluar nga Korridori i 8-të, nëse i keni përcjellë të gjitha zhvillimet, se “po bëhet Korridori i Shqipërisë së Madhe”…
Ai nuk është Korridori i Shqipërisë së Madhe, por ai kalon korridor mes tokave shqiptare dhe ne nuk mund ta ndryshojmë konfiguracionin dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarët.
Çdo iniciativë tonën për avancim të Marrëveshjes së Ohrit, si dokumenti i vetëm që është, që ruan integritetin dhe sovranitetin e këtij shteti.
Ne përjetësisht jemi të lidhur pas Marrëveshjes së Ohrit.
Ne nuk kemi opsion tjetër pos këtij dokumenti ndërkombëtar.
Vetëm kërkojmë nga garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit – Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO – që të na përkrahin dhe të bëhemi dalëzotës së bashku, siç kemi qenë 25 vjet bashkë me Amerikën, Evropën dhe NATO-n në avancim të Marrëveshjes së Ohrit, në avancim të të drejtave të shqiptarëve.
Ne nuk kontestojmë as historinë, as identitetin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas.
Ata le të merren vesh mes veti dhe le të krijojnë unitet kombëtar mes veti, sepse janë të ndarë në pro-bullgarë dhe pro-serbë.
Dhe ne nuk na hyjnë në punë fare as ata që janë pro-serbë, as ata që janë pro-bullgarë, le të jenë pro Maqedonisë unitare, pro Maqedonisë demokratike, pro Maqedonisë multietnike, me marrëdhënie të mira ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ky shtet ka ardhmëri vetëm në bashkëpunim e bashkëdrejtim të këtij shteti mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Kështuqë, sa më parë që të reflektojnë dhe ta kuptojnë këtë të vërtetë të madhe, aq më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian jemi, aq më afër ndërtimit të raporteve “zero probleme me fqinjët”.
Nëse komunitetin maqedonas partitë politike e orientojnë dhe e frymëzojnë me politika antishqiptare, nuk ia shohin hajrin kësaj pune, por sa më afër me shqiptarët, që nuk u kontestojnë asgjë nga historia e tyre, as nga identiteti i tyre, kaq më të fortë do ta bëjmë Maqedoninë.
Por ne Maqedonisë i dalim zot.
Nëse dikush është antikas në këto hapësira, jemi ne, dhe ne jemi dalëzotësit e vërtetë të këtyre hapësirave, bashkë me komunitetin ndërkombëtar, bashkë me aleatët tanë, bashkë me ata që na siguruan për marrëveshjen paqësore të Ohrit.
Dhe apelohet tek partitë politike maqedonase, mos e nxisni popullin tuaj kundër shqiptarëve!
Mos kërkoni tek shqiptarët argatë e vazalë për ta qeverisur këtë vend, sepse me vazalë e argatë u shpërbë Jugosllavia – le ta marrin këtë shembull sepse nuk është i largët.
U përpoq Beogradi me vazalë sllovenë, me vazalë kroatë, me vazalë boshnjakë, me vazalë malazezë, dhe me këlyshë e vazalë.
Sepse Shkupi ishte.
Shkupi ka qenë laboratori ku bëhej antishqiptarizmi, Beogradi këtu e kishte laboratorin.
Në ’89-ën këtu ndryshoi Kushtetuta e ’74-ës, tani suspendoi Millosheviqi autonominë e Kosovës.
Këtu u bënë së pari shkollat e përziera, tani u aplikuan në Kosovë shkollat e përziera.
Këtu filloi ndarja e shqiptarëve me maqedonasit që u bë në shkolla të ndara, tani filloi edhe në Kosovë.
Kështu që e kaluara nuk duhet të përsëritet, duhet të nxirren mësime nga e kaluara.
Përndryshe, Sadullah Duraku, kurrë s’na është dridhur qerpiku dhe nuk na dridhet.
Ne i dalim zot të drejtës sonë, punës sonë, në hak kërkujt nuk i hyjmë.
Dhe lojë s’bëhet me ne, ne nuk jemi sahanlëpirës.
Na vjen keq për këta shqiptarët tanë, që dikur tanët kanë qenë, gati të gjithë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, vetëm të mirat kanë pare nga Bashkimi Demokratik për Integrim, asgjë të keqe s’kanë parë, por Zoti është i madh.
Edhe një herë, organeve të posazgjedhura ju uroj punë të mbarë, shëndet, suksese, dhe dalshim faqebardhë!
Likovë, 19.07.2026!



