Haxhiu nderon Qemal dhe Kozeta Zylon për kontributin në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Qemal dhe Kozeta Zylon, themeluesit e televizionit “Alba Life” dhe të Shkollave Shqipe “Alba Life” në Nju Jork, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Haxhiu ka deklaruar se, përmes punës së tyre shumëvjeçare, ata kanë krijuar hapësira ku fëmijët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara mësojnë gjuhën shqipe, njohin historinë dhe kulturën kombëtare, si dhe forcojnë lidhjen me atdheun.
Ajo ka theksuar se angazhimi i tyre ka ndikuar edhe në njohjen zyrtare të gjuhës shqipe nga institucionet e shtetit të Nju Jorkut.
Në shenjë vlerësimi për këtë veprimtari, Haxhiu i ka ndarë Qemal Zylos Medaljen Presidenciale të Meritave, ndërsa Qemal dhe Kozeta Zylo janë nderuar me një mirënjohje të përbashkët për kontributin e tyre në zhvillimin e arsimit shqip dhe kultivimin e vlerave kombëtare në diasporë.
“Puna e tyre vazhdon traditën e gjatë të shqiptarëve të Amerikës, të cilët, brez pas brezi, e kanë mbajtur të fortë lidhjen me atdheun përmes arsimit, kulturës dhe veprimtarisë kombëtare”, ka theksuar Haxhiu.



