KGJK dhe Institucioni i Avokatit të Popullit thellojnë bashkëpunimin institucional
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, priti në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj.
Gjatë takimit, Avokati i Popullit i shprehu urimet e tij Kryesuesit Thaqi për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar sukses në udhëheqjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kryesuesi Thaqi vlerësoi rolin e Institucionit të Avokatit të Popullit në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit ndërinstitucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe transparent.
Nga ana e tij, Qelaj vlerësoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për avancimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
Bashkëbiseduesit diskutuan për çështje me interes të përbashkët që lidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, duke riafirmuar gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.



