Moti i keq në vend – Ekipet e mirëmbajtjes në gjendje gadishmërie, intervenojnë në zonat e prekura!
Pas reshjeve të dendura dhe stuhisë që ka përfshirë Kosovën, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes janë në gjendje gatishmërie dhe po reagojnë me shpejtësi e përgjegjësi.
Sipas njoftimit, në hyrje të Shtërpcës (R115), si pasojë e stuhisë, janë rrëzuar drunj, duke shkaktuar dëme edhe në disa automjete.
Ministria thotë se ekipet e mirëmbajtjes kanë intervenuar menjëherë për largimin e drunjve dhe pastrimin e rrugës.
Në njoftim theksohet se pas ndërhyrjes së ekipeve në terren, rruga është liruar dhe aktualisht është e qarkullueshme.
“Po qëndrojmë vigjilentë dhe po bashkëpunojmë me të gjitha institucionet përgjegjëse për menaxhimin sa më të mirë të situatave me të cilat po përballemi. U bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe, gjatë paralajmërimeve për reshje të dendura apo stuhi, të shmangin qarkullimin e panevojshëm në rrugë dhe të përshtatin vozitjen me kushtet atmosferike”, thuhet në njoftim.



