Për katër muaj, 69 raste me fruth në Kosovë – vetëm në javën e fundit 11 raste të reja

21 korrik 2026 | 11:37

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 69 raste të konfirmuara me fruth.

Sipas IKShPK-së, gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me fruth.

“Sipas komunave, numri më i lartë i rasteve raportohet në komunën e Prishtinës me njëzet e një (21) raste, në komunën e Ferizajt me dymbëdhjetë (12) raste; në Fushë-Kosovë me dymbëdhjetë (12) raste; në Kaçanik me shtatë (7) raste; në Lipjan me tre (3) raste; në Vushtrri, Shtime, Drenas dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast në komunat: Podujevë, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpcë dhe Viti”, është thënë në njoftimin e IKShPK-së.

IKShPK-ja ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK-ja u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare”, është thënë në njoftim.

Aty është thënë se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, i është nënshtruar vullnetarisht testit…