Argjentina përgatit betejë ligjore, do të mbrohet ndaj akuzave dhe dezinformatave

22 korrik 2026 | 12:10

Kthimi i Argjentinës në atdhe pas humbjes në finalen e Kupës së Botës 2026 nga Spanja nuk u shoqërua vetëm me zhgënjim sportiv.

Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) po përgatitet ta nisë një betejë ligjore për t’iu kundërvënë akuzave dhe fushatës së dezinformatave që, sipas saj, e kanë shoqëruar ekipin kombëtar gjatë gjithë turneut.

Sipas mediave argjentinase, drejtuesit e AFA-s janë të vendosur ta mbrojnë reputacionin e federatës dhe të përfaqësueses, duke ndërmarrë hapa ligjorë kundër atyre që kanë përhapur informacione të rreme ose akuza të pabazuara, përcjell “Gazeta Express”.

Gjatë Botërorit, Argjentina u përfshi në një sërë polemikash, duke filluar nga vendimet e referëve, debatet në fushë dhe kritikat për sjelljen e disa lojtarëve, deri te pretendimet se ekipi kishte një stil loje tepër agresiv, veçanërisht në finalen ndaj Spanjës.

Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale dhe në media u përhapën teori të shumta konspirative.

Një pjesë pretendonte se FIFA e kishte favorizuar Argjentinën gjatë turneut, ndërsa të tjerë këmbëngulnin se kampionët në fuqi ishin dëmtuar nga vendimet e referëve dhe ishin objekt i një trajtimi të padrejtë.

Këto narrativa, sipas AFA-s, e kanë krijuar një klimë të dëmshme rreth kombëtares.

Pavarësisht humbjes në finale, Lionel Scaloni dhe futbollistët u pritën nga shumë tifozë me mirënjohje për rrugëtimin e bërë deri në ndeshjen vendimtare.

Megjithatë, federata synon që tashmë ta mbrojë emrin dhe imazhin e saj përmes rrugëve ligjore, duke e kundërshtuar çdo akuzë që e konsideron të pavërtetë ose dezinformuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës,…