Vëllaznimi Futsall e nis me fitore Ligën e Parë të Kosovës!
07 shtator 2026
| 17:44
FC Vëllaznimi e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Ligën e Parë të Kosovës në futsall, duke shënuar një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj FC Ballkanit në Suharekë, me rezultat 5-3.
Në një ndeshje të karakterizuar nga ritmi i lartë, lufta sportive dhe emocioni, kuqezinjtë e Gjakovës treguan karakter dhe shpirt të jashtëzakonshëm luftarak, duke e merituar plotësisht triumfin.
Kjo fitore në start të kampionatit është një sinjal i qartë për ambiciet e Vëllaznimit, i cili synon të jetë ndër ekipet kryesore në garën për inkuadrim në Superligën e Futsallit të Kosovës.
Me këtë paraqitje, skuadra gjakovare dëshmoi se këtë sezon synimet janë të mëdha.




