Delegacioni i Fakultetit Juridik të Universiteti ‘Haxhi Zeka’ zhvilloi vizitë zyrtare në Pallatin e Drejtësisë Anadolu

22 korrik 2026 | 19:08

Një delegacion i Fakultetit Juridik të Universiteti “Haxhi Zeka” ka zhvillur vizitë zyrtare në Pallatin e Drejtësisë Anadolu, një ndër komplekset më të mëdha gjyqësore në Evropë.

Në kuadër të programit zyrtar të vizitës studimore dhe institucionale në Republikën e Turqisë, delegacioni i Fakultetit Juridik të Universiteti Haxhi Zeka realizoi një vizitë të veçantë në Pallatin e Drejtësisë Anadolu (Anadolu Adalet Sarayı), një nga komplekset më të mëdha dhe më moderne të drejtësisë në Evropë.

Ky takim u organizua me përkushtim dhe përgjegjësi akademike nga Prodekani për Mësim dhe Çështje Akademike, Prof. Ass. Dr. Mensur Morina, i cili studimet e doktoratës i ka përfunduar në Universitetin Hacettepe në Ankara. Përmes angazhimit të tij të vazhdueshëm, lidhjeve të ndërtuara ndër vite dhe respektit që gëzon në qarqet akademike dhe institucionale të Republikës së Turqisë, u mundësua realizimi i kësaj vizite në një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë turke. Kontributi i tij u vlerësua si një urë e çmuar që lidh Fakultetin Juridik të Universiteti Haxhi Zeka me institucionet më prestigjioze të drejtësisë në Turqi.

Delegacioni, i kryesuar nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, së bashku me stafin akademik dhe studentët, u prit me nderime të larta nga Kryeprokurori Mehmet Beşir GÜVEN, Zëvendëskryeprokurori Gökhan Karakaya dhe Drejtori i Kabinetit të Kryeprokurorisë (Başsavcılık Özel Kalem Müdürü), Mervan Demirkesen, të cilët shprehën kënaqësinë për mikpritjen e delegacionit nga Kosova, duke theksuar rëndësinë e miqësisë së sinqertë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve vëllezër.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeprokurori Mehmet Beşir GÜVEN theksoi se institucionet e drejtësisë së Republikës së Turqisë mbeten gjithmonë të hapura për bashkëpunim me universitetet dhe institucionet akademike, duke vlerësuar se shkëmbimi i përvojave profesionale dhe njohja e studentëve me funksionimin praktik të sistemit gjyqësor përbën një investim të çmuar për të ardhmen e juristëve të rinj. Ai shprehu gjithashtu respekt të veçantë për marrëdhëniet tradicionale dhe vëllazërore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, duke theksuar se këto lidhje duhet të forcohen edhe më shumë në të ardhmen.

Në emër të delegacionit, Dekani Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani falënderoi me mirënjohje të thellë Kryeprokurorin Mehmet Beşir GÜVEN, Zëvendëskryeprokurorin Gökhan Karakaya, Drejtorin e Kabinetit të Kryeprokurorisë, Mervan Demirkesen, si dhe të gjithë stafin e Pallatit të Drejtësisë Anadolu për mikpritjen e ngrohtë, respektin e treguar dhe organizimin e kësaj vizite me rëndësi të veçantë akademike dhe njerëzore.

Dekani Nimani shprehu gjithashtu mirënjohjen e sinqertë për Republikën e Turqisë dhe institucionet e saj, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Republikës së Kosovës në proceset e ndërtimit të institucioneve demokratike, forcimit të sundimit të ligjit, zhvillimit të arsimit të lartë, si dhe përkrahjen e palëkundur në arenën ndërkombëtare. Ai nënvizoi se këto marrëdhënie të shkëlqyera përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional ndërmjet dy vendeve.

Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe profesionale, duke lënë mbresa të thella te pjesëmarrësit dhe duke konfirmuar edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet institucioneve akademike të Kosovës dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Turqisë. Njëkohësisht, ajo hapi perspektiva të reja për bashkëpunime të mëtejshme në fushën e arsimit juridik, kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të përvojave profesionale, me frymën e sinqertë të miqësisë dhe vëllazërisë që i bashkon dy popujt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme, në…