Kosova në nivelin portokalli të sigurisë, IHMK njofton për shi, breshër e stuhi
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Kosova sot është në nivelin portokalli të sigurisë, duke paralajmëruar për shi, breshër, stuhi e bubullima.
I prekur nga ky mot do të jetë i gjithë territori i Republikës së Kosovës, nga ora 00:00 e deri në orën 23:59.
“Gjatë datës 22 korrik 2026 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me: reshje intensive shiu; breshër; erëra të forta me karakter stuhish”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se ndikimet e mundshme:
• Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët.
• Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
• Pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
• Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive.
• Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta.
• Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
Kurse sa i përket rekomandieve për qytetarët janë:
- Shmangni qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive.
- Mos u strehoni nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike.
- Mbroni automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta.
- Tregoni kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.
- Ndiqni njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit.
Tutje thuhet se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe, sipas nevojës, do të publikojë përditësime të mëtejshme.



