Mesazhe mashtruese në emër të drejtorit të policisë, apel për qytetarët të mos bien pre
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë raportuar raste të dërgimit të një e-maili mashtrues në adresa të ndryshme elektronike, i cili në mënyrë të rreme paraqitet si komunikim zyrtar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sipas njoftimit, mesazhi përmban tekstin: “Me këtë rast, na duhet përgjigjja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkëngjitur kundër jush”, ndërsa në bashkëngjitje ndodhet një dokument po ashtu i rremë.
Policia ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për një komunikim zyrtar dhe se rasti është duke u hetuar për të identifikuar burimin e dërgimit të këtyre e-maileve mashtruese.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos e hapin këtë e-mail dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim ndaj përmbajtjes së tij.
Policia ka rikujtuar se mesazhe të tilla nuk janë zyrtare dhe i ka këshilluar qytetarët:
të mos klikojnë në lidhje (linke) të dyshimta;
të mos japin të dhëna personale apo bankare;
të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
Nëse një qytetar pranon një mesazh të tillë, Policia rekomandon që ai të fshihet menjëherë, të raportohet te autoritetet përkatëse, të kontaktohet banka nëse janë ndarë të dhëna financiare dhe rasti të denoncohet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin emergjent 192.




