Turqi: Özgür Özel njofton formimin e një partie të re

22 korrik 2026 | 08:47

Në maj, gjykatat turke shkarkuan politikanin opozitar Özgür Özel nga posti i tij si lider i CHP-së; tani ai ka njoftuar formimin e një partie të re. Kjo parti e re mund të bëhet menjëherë partia më e madhe opozitare.

Lideri i rrëzuar  i opozitës turke, Özgür Özel, ka njoftuar formimin e një partie të re. “Sot do të takohemi me kryetarët vendorë të partisë, do të konsultohemi me këshillin e partisë dhe më pas do të themelojmë një parti të re,” tha Özeli në një fjalim të mbajtur para Parlamentit turk në Ankara.

51-vjeçari, i cili më parë udhëhoqi CHP-në nacionaliste të majtë, tha se partia e re do të ishte me orientim socialdemokrat dhe do të merrte frymëzim nga parimet e themeluesit të Republikës, Kemal Atatürk.

Sipas disa informacioneve, kjo parti e re mund të bëhet partia kryesore e opozitës. “Sot, qëndrojmë në pragun e një lamtumire të trishtë, një që është bërë e pashmangshme dhe koha e së cilës ka ardhur,” tha Özel në një fjalim të zjarrtë.

“Ne mbajmë brenda vetes shpresën e patundur për një fillim të ri,” shtoi  Özel, pa dhënë detaje rreth partisë së re. Mediat turke raportojnë se Özel ka ndërmend të dorëzojë një aplikim në këtë drejtim në Ministrinë e Brendshme javën e ardhshme. Sipas këtyre raporteve, partia do të quhej “Partia e Re”. Pritet të themelohet nga disa deputetë. Ende nuk është e qartë se sa nga 135 deputetët e CHP-së do t’i bashkohen partisë së re duke ruajtur vendet e tyre. Vëzhguesit e vlerësojnë këtë shifër në rreth 80. Kështu, ajo do të bëhej menjëherë partia më e madhe opozitare në vend.

CHP në shënjestrën e sistemit të drejtësisë turke

Në vitin 2024, CHP-ja i shkaktoi një humbje të rëndë partisë islamike-konservatore të presidentit Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet lokale. Që atëherë, partia opozitare është vënë gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e gjyqësorit turk. Ish-kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem İmamoğlu – i konsideruar si rivali kryesor i Erdoğanit – ka qenë në burg për më shumë se një vit me akuza për korrupsion. Shumë kryebashkiakë të tjerë të opozitës janë gjithashtu në paraburgim.

Në fund të majit, një gjykatë në Ankara anuloi kongresin e vitit 2023 të partisë – gjatë të cilit Özeli ishte zgjedhur lider i CHP-së – me arsyetimin e parregullësive të dyshuara, dhe e shkarkoi Özel-in nga detyra.

Demonstrata proteste në shumë qytete turke

Gjykata emëroi në mënyrë të përkohshme Kemal Kılıçdaroğlu, paraardhësin e Özelit – i konsideruar si një politikan i dobët dhe për këtë arsye kundërshtari i preferuar i Presidentit Erdoğan – si liderin e ri. Ndërkohë, pasi mori drejtimin e partisë, Kılıçdaroğlu kishte nisur shumë procedura disiplinore kundër anëtarëve të lartë të partisë.

Vendimi i gjykatës u kritikua ashpër 

Krahu i partisë i udhëhequr nga Özel më pas organizoi demonstrata proteste në disa qytete. Vetë Özeli e akuzoi qeverinë e Erdoğanit se vepronte për arsye politike dhe ndikonte në vendimin e gjykatës. Erdoğani, nga ana e tij , deklaroi se bëhej fjalë për një mosmarrëveshje të brendshme të partisë. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Federal i Komunikimeve në ShBA ka propozuar ndalimin e…