Aksidentet mbingarkojnë klinikat emergjente dhe intensive në QKUK

23 korrik 2026 | 21:41

Një varg aksidentesh në trafik, vazhdojnë t`i mbingarkojnë rëndë kapacitetet trajtuese në klinikat emergjente dhe intensive në Qendrën Klinike Universitare.

Aksidenti i fundit në magjistralen Prishtinë-Pejë, me fatalitet për një 20 vjeçar, ngasës i motoçikletës, rrit në 46 numrin e viktimave në komunikacion për këtë vit. Ekspertët e fushës bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në trafik.

Numri i madh i aksidenteve në komunikacion dhe fluksi i urgjencave mjekësore gjatë sezonit veror ka mbingarkuar kapacitetet e Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare.

“Në Stacionin Intensiv është stacion multimodal, ku përveç politraumave trajtohen edhe pacientët e tjerë të cilët kanë nevojë për mbështetje të jetës, çka nënkupton me respirator, me barna, të cilat nuk mundem me u ofrua në nëpër nëpër reparte ose nëpër klinika të tjera. Dhe prandaj kjo kjo e vështirëson sepse janë diku 21 shtretër dhe ne kemi kapacitetin me shtu edhe në një shtrat, maksimumi 22 shtretër, dhe shpesh ndodh për shkak mbingarkesës, domethënë nuk kemi shtretër të lirë, që pacientët të presin, sidomos në emergjencë”, tha për RTK, Ismet Jusufi, drejtor i Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Rritja e madhe e numrit të automjeteve në rrugë gjatë muajve të verës, sipas ekspertëve të komunikacionit, rrit ndjeshëm edhe rrezikun për aksidente, prandaj kërkohet kujdes maksimal nga shoferët.

“Këtë sezon, në të cilin jemi fut veç, drejtuesit e automjeteve duhet patjetër të respektojnë shpejtësinë e lëvizjes, meqëse shpejtësia është një nga elementet e faktorit njeri 95% që shkakton aksidentet me fatalitet edhe me dëme edhe lëndime trupore”, tha Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.

“ Po në fluksin veror kur kemi domethënë mërgimtarë që vijnë me targa të domethënë me të vendeve të tjera, me targa jo të Kosovës, për shkak që domethënë radarët e mjetet inteligjente nuk i kapin e ku ta di unë, që mos t’i lëmë të shfrytëzojnë atë mundësi, atëherë duhet të kemi pika të kontrollit apo prezencë të policisë të kemi në disa raste pak më tepër se sa që e kemi për momentin”, tha Lavdim Hamiti, njohës i komunikacionit.

Përballë kësaj situate, institucionet shëndetësore dhe ekspertët e komunikacionit bëjnë thirrje për kujdes maksimal në rrugë, duke theksuar se vetëdijësimi i ngasësve mbetet kyç për parandalimin e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person 38-vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e…