TAKIM ME PROFESORIN MUSA MUSLIU
Ismet Sylejmani
Ka takime që zgjasin pak çaste, por zgjojnë kujtime të një jete të tërë!
I tillë ishte edhe takimi im sot në Gjilan me Profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe te nderuarin Musa Musliu, njërin nga profesorët që ka lënë gjurmët më të thella në formimin tim njerëzor, intelektual, patriotik dhe atdhetar!
Profesor Musa Musliu nuk ishte vetëm profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe!
Ishte edukator brezash, njeri i dijes, i kulturës atdhetare dhe fryëmëzues i ndërgjegjes kombëtare!
Profesor Musa Musliu me urtësinë e jashtëzakonshme, me përkushtimin absolut dhe me shembullin e Tij të madh, na mësoi ta duam me gjithë zemër e shpirt Gjuhën dhe Letersinë Shqipe si pasurinë më të çmuar të Kombit, historinë e saj si kujtesën tonë të përbashkët dhe Atdheun si amanetin më të shenjtë të të parëve tanë!
Profesori im Musa Musliu, mua nuk ma mësoi vetëm Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe!
Profesor Musa Musliu, te unë mbolli vlera që më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës në të gjitha etapat!
Me shembullin e Tij, Profesori kultivoi tek unë pedantërinë në punë, disiplinën në veprim, korrektësinë në çdo marrëdhënie, qetësinë në vendimmarrje dhe dashurinë e pashuar ndaj dijes e mësimnxënies!
Profesor Musa Musliu na mësoi se njeriu nuk bëhet i madh vetëm nga ajo që di, por edhe nga karakteri, nga ndershmëria, nga përgjegjësia dhe nga qëndrueshmëria morale që duhet të dëshmohet në çdo hap të jetës!
Nga bankat e Shkollës së Mesme “Mehmet Isai” në Gjilan e deri në ditët e sotme, mësimet e Tij kanë mbetur të gjalla në kujtesën time!
Ai mbolli tek unë dashurinë e pakufishme për popullin, për Atdheun dhe për Kombin, duke më bërë të kuptoj se njeriu vlen aq sa u shërben idealeve më të larta dhe interesit të përgjithshëm!
Pas vitit 1981, në kohët e vështira të pushtimit, kur synohej të zbehej gjithëçka shqiptare, Profesori na edukoi ta mbronim me krenari gjuhën, kulturën, historinë dhe dinjitetin tonë kombëtar!
Me qëndrimin e Tij dhe me ligjeratat domethënëse, Profesor Musa Musliu mbolli tek ne edhe urrejtjen ndaj pushtuesit dhe çdo forme të shtypjes, por jo si urrejtje ndaj njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre, por si qëndrim të palëkundur kundër robërisë, padrejtësisë dhe mohimit të lirisë së popullit, Atdheut dhe Kombit tonë!
Sot, kur u ritakuam, ndjeva të njëjtin respekt dhe mirënjohje që kam pasur gjithmonë për Të!
Megjithëse nga viti 1983, kur jamë ndarë nga bankat e shkolles nga Ai, pavarësisht tërë asaj që kam kaluar dhe realizuar në karieren time politiko-patriotike në LPK e ushtarake- çlirimtare në UÇK në shërbim të popullit, Atdheut dhe Kombit, para Tij ndihesha jo vetëm i vogël por edhe i ndruajtur!
Vitet mund të kalojnë, por madhështia e profesorëve e mësuesve të popullit që formojnë karaktere, që ndërtojnë ndërgjegje dhe edukojnë me ideale të larta nuk zbehet kurrë!
Profesorët si Musa Musliu mbeten pishtarë që ndriçojnë rrugën e brezave në shekuj e mijëvjeçar!
Përulem me respekt para Profesorit tim, duke e falënderuar për çdo fjalë, për çdo mësim dhe për çdo vlerë që na përcolli atëherë kur kishim nevojë më shumë se kurrë!
Kontributi i Tij nuk matet vetëm me nxënësit që ka arsimuar, por edhe me dashurinë për për popullin shqiptar, për Atdheun dhe për Kombin tonë, të cilën e ka mbjellë në zemrat e brezave të tërë!
Prandaj, për mua, Profesori Musa Musliu nuk ishte vetëm një mësimdhënës!
Profesori ishte një edukator i madh, një formues karakteresh, një atdhetar i përkushtuar dhe një udhërrëfyes, ndikimi i të cilit do të mbetet i gjallë në kujtesën dhe në jetën time përgjithmonë!
Profesorët si Musa Musliu nuk harrohen kurrë!
Profesorët si Musa Musliu jetojnë jo vetëm me veprën e tyre, por edhe në sukseset e nxënësve dhe në kujtesën e një kombi që di t’i nderojë ata që e kanë ndriçuar me dije, me edukatë dhe me atdhedashuri rrugën për të ardhmen!
Shumë i dashur dhe i nderuar Profesor Musa Musliu, do të jem përherë i lumtur që pata fatin ta realizoj këtë takim të jashtëzakonshëm sot me Ty!
Çastet që kaluam së bashku do të mbeten përgjithmonë ndër kujtimet më të bukura dhe më të çmuara të jetës sime!
Mirënjohja ime për Ty nuk do të shuhet kurrë, sepse njerëzit që formojnë dhe ndërtojnë karakterin, ndërgjegjen dhe idealet e nxënësve të tyre jetojnë përjetësisht në zemrat e tyre!
Faleminderit për gjithçka që më mësove dhe për gjithçka që përfaqëson në jetën time!
Me respekt dhe mirënjohje të përhershme, ish-nxënësi Yt,
Prishtinë, 22 Korrik 2026!



