Çështja e presidentit, Haxhiu: Duket që nuk jemi shumë afër, uroj të intensifikohen takimet

24 korrik 2026 | 11:47

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se partitë politike ende nuk janë afër arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se nuk ka qenë nën presion nga partitë politike për ta thirrur sa më shpejt seancën konstituive të Kuvendit, duke theksuar se vonesa ka pasur për qëllim t’u japë kohë subjekteve politike për të arritur një marrëveshje, duke pasur parasysh edhe afatet kushtetuese.

“Sa i përket çështjes së akuzave nga partitë politike, unë dua ta them hapur: nuk e kam ndier veten nën presionin e partive politike që të thërras seancën konstituive. Nuk po flas për individë; deri tani, dy deputetë nga Aleanca e kanë përmendur këtë çështje, por nuk kam pasur kërkesa nga partitë politike që unë të veproj sa më shpejt”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se vendimi për të mos u nxituar me thirrjen e seancës ka ardhur si pasojë e përpjekjes për t’u dhënë partive hapësirë për të arritur një marrëveshje.

Haxhiu ka bërë thirrje për takime serioze dhe diskutime mes partive politike, me qëllim tejkalimin e situatës aktuale, duke shtuar se nuk duhet të përjashtohet mundësia e një raundi tjetër zgjedhor.

“Është e vërtetë që partia fituese, Vetëvendosje, i ka numrat edhe për konstituimin e Kuvendit, edhe për qeverinë. Por, mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën: ‘Pse u ngutët me konstituim? Pse u ngutët me qeveri?’”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhiut, veprimet e saj kanë qenë të orientuara drejt krijimit të hapësirës për një marrëveshje politike.

“Duket që nuk jemi shumë afër, por uroj që të intensifikohen takimet”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë…