Haxhiu injoron thirrjet e BE-së për të mos i bërë presion KGjK-së: Sytë tanë janë te ta, të mos bien pre e ndikimeve
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që të miratojë dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, të cilët më pas i kanë tërhequr ato.
Haxhiu fillimisht ka pretenduar se këta gjyqtarë “janë paguar nga Serbia”.
Duke mos iu përmbajtur thirrjeve të Bashkimit Evropian për të mos i bërë presion KGjK-së, Haxhiu ka thënë se sytë e institucioneve janë te ky këshill dhe ka kërkuar që ai të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Sytë tanë janë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse nëse KGjK-ja vepron në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, atëherë këtu kemi të bëjmë me një precedent shumë të rrezikshëm dhe me një abuzim të përgjegjësive që ata kanë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo i ka bërë thirrje KGjK-së që të zbatojë ligjin dhe të mos ndikohet nga faktorë të jashtëm.
“I bëj thirrje edhe njëherë që të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të mos bjerë pre e ndikimeve të askujt, as atyre vendore dhe as atyre ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, pamundësia për t’i liruar nga detyra gjyqtarët serbë lidhet me mosveprimin e KGjK-së.
“Pra, mua më pamundësohet që ata gjyqtarë t’i liroj nga detyra, sepse KGjK-ja nuk po vepron”, është shprehur Haxhiu.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos ushtrohet presion ndaj KGjK-së, pas deklaratave të fundit të disa zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.



