Musliu: 16 shtatori, data e dytë më e rëndësishme, Kosova s’duhet të jetë pa konstituim të Kuvendit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se subjekti i saj do të marrë pjesë në seancën e nesërme për konstituimin e Kuvendit.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ajo ka thënë se pavarësisht kalimit të afateve kushtetuese, konstituimi i legjislativit është me rëndësi të madhe, edhe për shkak të datave të rëndësishme, siç është ajo e 16 shtatorit, kur do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Nesër do të marrim pjesë në seancë dhe do t’i kryejmë të gjitha detyrat tona. Ne nuk guxojmë që ta braktisim rendin kushtetues. Pa u bë ky hap nuk mund të kthehet rendi kushtetues. Duke u bazuar në datat shumë të rëndësishme, marshi për UÇK-në dhe po ashtu data shumë e rëndësishme 16 shtatori, që është data më e rendësishme pas shpalljes së pavarësisë. Mendoj që ne vetëdijen kombëtare, për popullin e Kosovës, duhet të jetë data më e rëndësishme.”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se 16 shtatori nuk do të duhej ta gjente Kosovën pa konstituim të Kuvendit.
“Çfarëdo vendimi që do të merret me 16 shtator, do të ishte fatale nëse Kosova nuk ka institucione”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se është qëndrim i organeve të partisë për të marrë pjesë në seancën për konstituimin e Kuvendit.
“PDK ka konsistencë në qëndrime. Që nga 8 gushti i kemi bërë thirrje VV-së, Kurtit dhe Deharit që ta thërrasë seacën konstituive, gjë që nuk ka ndodhur. Ne jemi për kthimin e kushtetutshmërisë në institucione. Kemi pasur debat të gjerë brenda partisë dhe PDK-ja nuk ka mëdyshje që nesër duhet të jemi në Kuvendin e Kosovës. Pa përfundimin e zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i pakonstituar. Ne jemi të vetëdijëshëm që të gjitha afatet kushtetuese kanë kaluar. PDK-ja kërkon me ngulm që të konstituohet Kuvendi.”, ka thënë tutje Musliu.



