Shpend Ahmeti dënohet me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska.
Dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda tre muajve nga plotfuqishmëria e vendimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç dënimit kryesor, Ahmeti u obligua të paguajë edhe 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave.
Gjykata refuzoi propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar në vlerë prej 172 mijë e 600 euro.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm mbrojtësi i Ahmetit, avokati Arbër Istrefi.



